Kastrati insiston në reformën e nisur në shkollat e Kamenicës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit të Komunës së Kamenicës për shpërndarje të nxënësve nëpër klasa me nga 4-5 nxënës.
Në aktvendimin të cilin e ka publikuar ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, Gjykata urdhëron komunën e Kamenicës që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të datës 29 dhjetor të vitit 2021. Ky vendim ishte marrë nga kryetari aktual i Kamenicës Kadri Rahimaj i cili e pati shfuqizuar vendimin e ish-kryetarit Qëndron Kastrati lidhur me reformën në procesin arsimor të kësaj komune.
RTK ka kontaktuar me kryetarin Rahimaj por i njëjti ka thënë se ende nuk e ka pranuar një vendim të tillë nga Gjykata dhe ka thënë se deri sa të pranojë këtë vendim do të vazhdojë të respektojë vendimin e marr nga ai.
Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, vlerësoi se vendimi i Gjykatës për pezullimin e vendimit për shpërndarje të nxënësve nëpër klasa me nga 4-5 nxënës është i drejtë dhe i pritshëm.
“Është vendim i pritshëm, nuk është vetëm edukimi për të mësuar përmendsh, por edhe aktivitetet sociale”, tha ai për RTK.
Sipas tij kur ka qenë kryetar ka marrë vendim të për të pasur riorganizim të shkollave. “Ne patëm paraparë dhe patëm filluar reformën që do të ishte e mirë për nxënësit, ne kemi respektuar ligjin dhe unë e kam njoftuar edhe kryetarin aktual për këtë reformë”, theksoi ai.
Kastrati vlerësoi se efektet pozitive do të jenë shumë më pozitive për të ardhmen. “Ne kemi paraparë që në ato shkolla nxënësit t’i kenë të gjitha kushtet për mësim, nuk duhet parë shkollat për të dhënë paga dhe për të marrë votues”, theksoi ai. (Përgatiti: A.Bela)























