Kurti u bën thirrje serbëve të Kosovës të ruajnë qetësinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, të ruajnë qetësinë dhe të besojnë më shumë te Qeveria e Kosovës.
Ai, nëpërmjet një videoje, të publikuar në Facebook, në gjuhën serbe u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, duke thënë se suspendimi i gjyqtares serbe në veri, nuk është marrë nga ai.
Ai ka thënë se për suspendimin e Liliana Stefanoviq ka marrë vesh nga mediat.
Kurti ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos i besojnë Beogradit, pasi që askush në institucionet beogradase, nuk brengoset për të drejtat dhe mirëqenien e tyre, por për përfitimet e veta elektorale.
Një arsye tjetër pse Beogradi do destabilizimin e Kosovës, ka thënë Kurti, mund të jetë për shkak të interesave luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe, duke aluduar në Rusinë.
Deklarata e plotë e Kurtit:
Për qeverinë që udhëheq unë ndarja e pushteteve është parim demokratik. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojmë në vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq mora vesh nga mediat, e kjo megjithatë do të thotë se ajo nuk është larguar nga puna.
Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar. Ju falënderohem qytetarëve për mënyrën paqësore të të protestuarit. Në shoqërinë demokratike dhe shtetin ligjor njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin publikisht mendimet dhe qëndrimet e tyre.
Por, më duhet të them, do të ishte më e besueshme po që se do të protestonim, p.sh për drejtësinë sociale, zhvillimin më të shpejtë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar. Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd.
Atyre nuk u interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe.
Prandaj, qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksporteve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe direkte dhe e buxhetit të shtetit na japin shpresë neve që jetojmë këtu.
Ne jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Dyert tona janë të hapura.
Mesazhi i Kurtit vjen pasi sot serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.























