Rreth 7 mijë nxënës pritet që këtë vit t’i nënshtrohen Testit `Pisa`
BKT
Lajme

Rreth 7 mijë nxënës pritet që këtë vit t’i nënshtrohen Testit `Pisa`

Ardiana Hajzeri, Radio Kosova

Rreth 7 mijë nxënës pritet që këtë vit t’i nënshtrohen Testit ndërkombëtar “PISA’’.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij testi, i cili planifikohet të mbahet në muajin maj ose qershor. E, njohës të fushës së arsimit presin që këtë herë rezultatet të jenë më të mira, sepse sipas tyre, për këtë do të  ndikojnë përvojat e kaluara në vlerësimet “PISA”. 

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se për herë të tretë Kosova do të marrë pjesë në Testin “PISA 2022”.

Zëdhënësja e Ministrisë se Arsimit, Iliriana Pylla, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që rreth 7 mijë nxënës  nga 237 shkolla këtë vit do t’i nënshtrohen Testit “PISA”.  Ajo tha se nuk presin ndonjë përmirësim të Kosovës në Testin “PISA”, për shkak të pandemisë e cila e ka dëmtuar shumë procesin mësimor. 

“Ministria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e Testit “PISA 2022”. Janë përzgjedhur 237 shkolla ku rreth 7 mijë nxënës do të marrin pjesë në Testin “PISA” e i cili mendohet të mbahet në muajin maj të këtij viti", tha ajo.

Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se këtë vit vlerësimi “PISA” do të jetë më i mirë. Kështu tha në një përgjigjeje për Radio Kosovën Mustafë Kadriu, i cili ka qenë i përfshirë në vlerësimet e jashtme që janë bërë për nxënësit e Kosovës.  

“ Kosova në “PISA 2022” do të jetë pak më mirë se në vlerësimet paraprake. Duke pasur parasysh një përvojë të mësimit dhe kurikulat që janë duke u zhvilluar me shumë në bazë të kompetencave. Konsideroj që këtë herë Kosova do të renditet me mirë", tha ai.

Kadriu po ashtu tha se në përmirësimin e rezultateve do të ndikojnë përvojat e kaluara në vlerësimet “PISA” dhe  mësimdhënia e cila po realizohet  sipas kërkesave të këtij vlerësimi. 

“Ky përmirësim do të vijë pasi që vlerësimi “PISA”  i ka nxitur mësimdhënësit që të punojnë në mënyrën se si “PISA” vlerëson. Dhe puna e tyre sadopak është orientuar kah kërkesat që i paraqet “PISA”, tha ai.

Testi “PISA” ka qenë i planifikuar të mbahet në vitin 2021, por për shkak të pandemisë është shtyrë për vitin 2022 . Ky test bëhet çdo tri vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, dhe teston nxënësit 15-vjeç.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim në nivel global i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe jo-anëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore. Në vitin 2016, Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test. Në testimin e dytë Kosova ishte në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.

 


MË SHUME NGA Lajme