Rezolutat e Kuvendit pa asnjë efekt juridik
BKT
Lajme

Rezolutat e Kuvendit pa asnjë efekt juridik

Kosovare Gashi, Radio Kosova

Kuvendi i Kosovës në shumë raste për një çështje të caktuar miraton rezoluta. Por ato nuk kanë asnjë efekt juridik.

Sipas Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, rezolutat e miratuara në Kuvendin e Kosovës më shumë kanë karakter deklarativ, pasi të njëjtat nuk janë të obligueshme të zbatohen.

“Rezolutat e miratuar në Kuvend, më shumë kanë karakter deklarativ, nëpërmjet të cilave jepet përkushtimi i Kuvendit të Kosovës për një çështje të caktuar, por në aspektin juridik nuk kanë ndonjë efekt obligues qoftë për Kuvendin qoftë për institucionet e tjera”, ka thënë Miftaraj për Radio Kosovën.

Monitoruesja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Agnesa Haxhiu, ka thënë për Radio Kosovën se rezolutat zakonisht janë produkt i debateve parlamentare apo interpelancave, që kanë për qëllim dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e një çështjeje të caktuar. Por kjo nuk ndodh, pasi sipas Haxhiut, Kuvendi nuk ka mekanizëm të veçantë për monitorimin e zbatimit të rezolutave.

“ Kuvendi ka mungesë të mekanizmave që ia mundësojnë te përcjellë zbatimin e rezolutave. Prandaj në shumicën e rasteve rezolutat janë një shfrytëzim  i debatit publik që ndodh në një kohë të caktuar edhe shumë rrallë ato mbërrijnë të japin efektet e tyre në praktikë”, ka deklaruar Haxhiu për Radio Kosovën.

Sekretari i  Kuvendit të  Kosovës, Ismet Krasniqi, tregon për Radio Kosovën se që nga themelimi Kuvendi i Kosovës ka miratuar 65 rezoluta. Vetëm në këtë legjislaturë deputetet e kuvendit kanë votuar për 5 rezoluta.


MË SHUME NGA Lajme