Themelohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur
BKT
Kulturë

Themelohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur

Më 27 Mars, në Prizren, në Ditën e Teatrit themelohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, këtë vit nis rrugëtimin për t'u shndërruar në ngjarje tradicionale, e që do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Kjo ngjarje kulturore ishte planifikuar të mbahej vitin e kaluar, por situata pandemike, që përfshiu mbarë botën, bëri që edicioni i parë të shtyhet për këtë vit.

Ky festival, i themeluar nga artistët: Shkelzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku, do të mbahet në fund të muajit korrik dhe në filllim të muajit gusht, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Festivali në fjalë do të bëjë bashkë teatro e trupa teatrore nga vendi, rajoni dhe Evropa. Shtrirja e aktiviteteve do të bëhet në gjithë qytetin, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e përshtatshme që janë në dispozicion në Prizren, përfshirë hapësirat publike dhe private si: Kalaja e Prizrenit, Hamami, Kino Lumbardhi, Lidhja e Prizrenit, , Xhamitë, Kishat, Teqet, Ura e gurit, Teatri Qytetit, Kino Bistrica, si edhe sheshe të qytetit.

Programin qëndror do ta shoqërojnë edhe shfaqjet mysafire, të cilat do të jenë jashtë konkurencës, shfaqje për audiencën e re, për publikun e nesërm. Krahas prezantimit të shfaqjeve do të organizohen punëtori e diskutime të ndryshme lidhur me teatrin, trashëgiminë teatrore, historike, si edhe master klasa nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë./SH.G.

 


MË SHUME NGA Kulturë