Kurti takohet me ministrin norvegjez të Tregtisë dhe Industrisë
BKT
Lajme

Kurti takohet me ministrin norvegjez të Tregtisë dhe Industrisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuarm inistrin e Tregtisë dhe Industrisë së Norvegjisë, Jan Christian Vestre.

Në takim, kryeministri veçoi burimet natyrore, popullsia e re dhe e talentuar, si dhe pozita e mirë gjeografike e  Kosovës, si potencial i madh për investim nga kompanitë norvegjeze.

Kurti theksoi synimin dhe nevojën e vendit për rritjen e kapaciteteve dhe diversifikimin e energjisë elektrike, me vëmendje të veçantë te burimet e ripërtëritshme. Ai ftoi edhe për më shumë investime për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore, të erës dhe ujit, si dhe në sektorin e minierave dhe mineraleve, thuhet në njoftimin për media të kryeministrisë.

Kryeministri shtroi kërkesën dhe nevojën për të avancuar bashkëpunimin me zonën ekonomike EFTA duke kaluar nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare. Kjo kërkesë u mirëprit nga ministri Vestre, i cili shprehu gatishmërinë e palës norvegjeze për të filluar negociatat dhe për të përfunduar me marrëveshje sa më shpejtë.

Ministri Vestre tha se reformat e nisura nga Qeveria e Kosovës janë mbresëlënëse. Ai shprehu interesimin për të shtuar partneritetin mes dy vendeve, duke identifikuar fusha të reja të rritjes së bashkëpunimit dhe mundësinë e vizitës së një delegacioni me kompani norvegjeze në Kosovë./S.K.


MË SHUME NGA Lajme