Hajdari: Nuk ka mungesë të grurit, kemi siguruar importin nga SHBA-të
Arlinda Sejda
Kosova ka siguruar importin e grurit nga SHBA-të, në rast të ndonjë bllokade të mundshme për shkak të luftës në Ukrainë, ka thënë ministrja Rozeta Hajdari gjatë raportimit para komisionit parlamentar. Gjithashtu ajo ka siguruar se Kosova aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të grurit.
Kosova ka grurë aktualisht, megjithatë duke parë rrezikun nga situata në Ukrainë, dhe ndonjë bllokadë e mundshme, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se ka marrë përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen e afërt.
“Kosova mund të blejë grurë në të ardhmen nga ShBA-të Video ?Unë kam parë që Kosova nuk ka pasur varësi nga Ukraina për import, por kryesisht ka qenë nga Serbia. Ne kemi kontaktuar edhe vendet e tjera, duke filluar me Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë, Turqinë, me Francën dhe me SHAB-të. Fatmirësisht kemi përgjigjet pozitive prej shumicës së këtyre vendeve ndonëse kanë barrierat edhe ato shtetet që kanë ndaluar eksportet. Por, me marrëveshje ministër-ministër, jemi në një progres të mirë kur ndodhë që të kemi ndonjë krizë që mund ta ketë Kosova në të ardhmen, mund ta zhbllokojmë këtë përmes marrëveshjes”.
“Ne duhet të përgatitemi, edhe pse kemi shtuar rezervën shtetërore për 10 milionë euro shtesë, duhet t’i shtojmë rezeravt shtesë, sepse, nuk i dihet, i dihet fillimit, por jo mbarimit. Duke filluar me kërkesën që kemi dërguar tek Ambasada Amerikane dhe të tjerët që të llogarisim në të ardhmen kah vera, vjeshta, sepse nuk i dihet situatave të reja, dhe të na vendosin në listë. Dhe kemi marrë përgjigje pozitive që Kosova është në listën e kërkesave të vendeve tjera po ashtu, që edhe Kosova është në listë për të qenë një prej blerësve të ardhshëm nëse ka me pasur nevojë”, tha ministrja Hajdari.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, theksoi se kanë pritur nga kjo qeveri që të marrë masa qoftë edhe reciprociteti ndaj Serbisë për ndalimin e grurit që ia ka bërë Kosovës.
“Nuk kam parë asnjë veprim dhe asnjë komunikim qeveritar, por cili është qëndrimi i qeverisë përkatësisht I juaji në raport me bllokimin që ka bëtë Serbia për grurin dhe produktet tjera, që kemi importuar dikur grurë, ndërsa sot e kemi të bllokuar. A ka ndonjë reagim, një kundër masë, një kundër veprim apo një lloj reciprociteti, të cilin e kemi pritë pas veprimeve të tilla të një anshme vulgare dhe të panevojshme në këtë situatë”, tha Shala.
Hajdari thotë se Serbia ka ndalur eksportin me grurë, por “ne s’kemi çka t’i ndalim asaj “.
”Unë nuk e kam kuptuar prej asnjë prodhuesi ose nga rrjeti shitësve me pakicë dhe shumicë, që ata kanë mungesë të furnizimit me grurë. Ata janë ok (në rregull) dhe nuk kanë ndonjë problem për furnizim, sepse kemi pasur edhe shtete të tjerë, jo vetëm Serbia dhe Turqia", tha ajo.
“Nuk është vendimmarrje ashtu si mendojmë ne revansh ose hakmarrje, por gjithmonë duke u bazuar në evidencë. Kur ne marrim kërkesë nga asociacioni i industrisë së ushqimit, po është e nevojshme që të reagojmë dhe gjithmonë kemi hapësirë për të reaguar bazuar në ligje, por kur të nisim hetimet nuk është mirë që brenda 60 ditësh të marrim ndonjë veprim. Po është e vërtet që ka pasur disa nga shtetet që kanë ndalur eksportin për grurin, sepse është krizë për ato, edhe ne po rishqyrtojmë, por tash çka kemi ne për të ndalur si eksport. Ne kemi ndoshta shumë pak produkte për të eksportuar”, tha Hajdari
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ministrja Hajdari ka thënë se gjatë vitit 2021 numri i ankesave të konsumatorëve ka arritur në 2000 ose 300% më shumë se në vitin 2020.























