Mësimi dual u ofron të rinjve mundësi për depërtim në tregun e punës
Albana Bajrami
Kërkesat e kompanive vendore për kryerjen e pjesës praktike të nxënësve nga shkollat profesionale, janë më të mëdha sesa numri i nxënëseve në këto shkolla.
Kështu ka thënë drejtori i Shkollës profesionale “Shtjefan Gjeçovi”, në Prishtinë, Blerim Gërvalla.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka thënë se përmes mësimit dual do t’u ofrohet të rinjve mundësi më e shpejtë për depërtim në tregun e punës, ndërsa bizneseve e ndërmarrjeve profesionistët e nevojshëm.
Shumë shkolla profesionale në vend, kanë kontrata bashkëpunimi me kompanitë vendore, për t’iu mundësuar nxënësve të kryejnë punën praktike.
Ky mësim dual, që nënkupton mësimin në shkollë dhe mësimin në vendin e punës, është premtuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa drejtuesit e shkollave thonë se këtë e praktikojnë për një kohë të gjatë.
Drejtori i Shkollës profesionale për makineri, transport dhe tekstil, “Shtjefan Gjeçovi”, në Prishtinë, Blerim Gërvalla, tha për Radio Kosovën, se kërkesat e kompanive vendore janë më të mëdha për të rinjtë, se sa numri i nxënësve që është në shkollë.
Duke folur për bashkëpunimin që ka shkolla me kompanitë përmes mësimit dual, drejtori Gërvalla, tregoi edhe për profilet më të kërkuara.
“Ne kemi marrëveshje pothuajse me 150 biznese të veprimtarive të ndryshme që i përshtaten shkollës sonë. Ne i sistemojmë nxënësit, të cilët e përfundojnë pjesën teorike të lëndëve profesionale në shkollë në klasën e 12-të, ndërsa anën praktike e realizojnë në këto biznese. Për profilin e automekanikëve, te profili i instaluesve të ngrohjes, klimatizimit dhe ujësjellësit, te profili i metalpunuesve, të profili i tekstilit, kemi më tepër kërkesa nga bizneset për sistemimin e nxënësve dhe për dhënien e mundësive për punësim, sesa nxënës që kemi realisht në shkollë”, ka thënë Gërvalla.
Drejtori Gërvalla theksoi se përveç kërkesave nga kompanitë vendore, kërkesa të mëdha ka edhe nga tregjet ndërkombëtare, ku diplomat e kësaj shkolle janë pranuar në shtetet evropiane.
Ai theksoi se asnjë nxënës i kësaj shkolle nuk ka mbetur pa punë.
“Ish nxënës të kësaj shkolle, kanë hapur edhe biznese dhe janë shumë të suksesshëm. Nuk bëhet fjalë që nxënësi të mbetet i papunë, vetëm a e ka vullnetin që të kyçet në profesionin e tij. Pothuajse nuk ka kompani të instalimeve të ngrohjes dhe klimatizimit në rajonin e Prishtinës dhe më gjerë, që nuk ka të punësuar kryepunëtorë dhe punëtorë, që kanë qenë nxënës të shkollës sonë”, shtoi Gërvalla.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje me Fondacionin “Besa” me seli në Gjermani, për të ofruar ndihmë përmes inicimit të arsimit dual.
Zëdhënësja e Ministrisë, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se kjo u ofron të rinjve mundësi më të shpejtë në tregun e punës, ndërsa bizneseve e ndërmarrjeve profesionistët e nevojshëm.
“Gjatë javëve në vijim, do të identifikohen profilet, pastaj shkollat dhe ndërmarrjet, ku do të fillohet me zbatimin e arsimit dual. Pra, jemi shumë afër të fillimit të zbatimit të këtij procesi”, ka thënë Pylla.
Përmes projekteve, do të inkurajohen ndërmarrjet dhe nxënësit që të përfshihen në arsimin dual dhe të informohen lidhur me përfitimet që i ofron arsimi dual në Gjermani.























