Në teatrin Avdush Hasani shfaqet drama Emigrantët, në regji të B. Ramadanit
BKT
Kulturë

Në teatrin Avdush Hasani shfaqet drama Emigrantët, në regji të B. Ramadanit

Sonte, në ora 20.00, në teatrin Avdush Hasani shfaqet drama “Emigrantët”, nga Slavomi Mrozhek (Sławomir Mroźek), në regji të Bashkim Ramadanit, ndërkaq më 02.04.2022 shfaqja do të jetë reprizë.

Shfaqja “Emigrantët” nga Sławomir Mroźek, trajton dramën e dy emigrantëve, një intelektuali të përndjekur politikisht dhe një punëtori fizik, të cilët, për arsye të ndryshme politike dhe ekonomike, janë larguar nga atdheu i tyre dhe, si të tillë, secili me mendësinë, shqetësimet dhe brengat e veta, banojnë së bashku, ndeshen, zihen dhe përplasen me njëri tjetrin, në një bodrum, diku në perëndim.

Të dy këta emigrantë janë të detyruar të shikojnë kohën se si ju ik para syve, pa e kuptuar se sa të varur janë nga njëri-tjetri, se sa larg kanë udhëtuar secili me arsyet e veta për të qëndruar larg shtëpive, larg vendlindjes.

Dialogu i tyre është si një duel, në të cilin AA dhe XX demaskojnë njëri-tjetrin. Ata përpiqen pa u lodhur për lirinë dhe, paradoksalisht, të dy bëhen skllevër të kësaj idejeje.

“Teksti ‘Emigrantët’ nga Sławomir Mroźek, për mua është njëri ndër tekstet më të mira të dramaturgjisë botërore. Tema që e trajton ky tekst, personazhet shumë mirë të skicuara dhe të definuar deri në detaje, situatat e larmishme dhe atmosfera që krijon ky tekst, mua, si regjisor, më kanë shty që ta inskenoj këtë tekst në teatrin Avdush Hasani. Sot, kur pak orë na ndajnë nga premiera, unë mund të them se ky proces i provave, ka qenë një nga përvojat më të mira në teatër. Jam shumë i kënaqur me rezultatin në çdo aspekt, sidomos dua ta theksoj bashkëpunimin me aktorët, të cilët dua edhe t’i falënderoj për gjithë energjinë, disiplinën, gatishmërinë, profesionalizmin dhe kreativitetin që kanë treguar në procesin e ndërtimit të shfaqjes sonë. Gjithashtu dua t’i falënderoj edhe bashkëpunëtorët kreativë të shfaqjes” ka thënë Ramadani për RTK.

Duhet theksuar se aktorë në këtë shfaqje tetrale janë: Besart Zeneli dhe Muhamet Zeka.


MË SHUME NGA Kulturë