Haxhiu përkujton masakrën në Pastaselë të Rahovecit
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka përkujtuar masakrën në Pastaselë të Rahovecit, të kryer 23 vjet më parë.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se edhe 23 vjet më pas drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe popullin e Kosovës.
“23 vjet më parë Kosova po përjetonte një gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile. Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare. Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë. Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.
Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Ndërsa në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.























