Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët pretendojnë tre e më shumë deputetë
Në Serbi sot do të mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.
Ndërkohë, është shkruar se vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve.
Mbajtja e këtyre zgjedhjeve u kërkua që të bëhet edhe në territorin e Republikës së Kosovës, por një gjë e tillë u refuzua nga autoritetet e vendit, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën e Kosovës.
Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.























