VIDEO-Macula ndihmon refugjatët ukrainas në Moldavi
Pas agresionit rus qytetarë nga Ukraina janë larguar në shumë vende, e një ndër to, edhe në Moldavi. Kontributin e saj për mirëpritjen e këtyre refugjatëve ukrainas në këtë vend e ka dhënë edhe shefja e Zyrës së UN Women në Bangladesh, Flora Macula.
Në një intervistë në RTK, Macula ka treguar për punën dhe eksperiencën e saj gjatë misionit në Moldavi.
“Unë isha e deleguar dhe një ditë para se të kthehesha në bazën ku punoj, në Bangladesh më ftuan nga qendra që të shkoj t’ju ndihmoj në krijimin e mekanizmave për ndërhyrje emergjente. Në Moldavi e kemi zyrën dhe stafin, mirëpo nuk ishim të përgatitur për këto situata. Ishte e papritur për të gjithë botën, por edhe për Moldavinë. Kur shkova, më pesë mars, një fluks i madh i refugjatëve nga Odesa kishin arritur aty. Falë vullnetarëve dhe komunitetit jemi munduar që, sadopak, t’i dalim në ndihmë këtyre refugjatëve”, tha ajo në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në RTK.
Macula tregoi se ka pasur radhë të gjata dhe vështirësi të shumta, pasi që ende nuk ishte hapur korridori i gjelbër.“Rrëfimet ishin të ndryshme, varësisht kishte nga ata që vinin me veturat e tyre dhe ata që vinin me transport publik. Si mund t’ju japësh përgjigje gjithë atij fluksi, kur nevojat ishin të ndryshme. Është ndryshe nëse vijnë të rinjtë, ndryshe nënat me fëmijë, njerëz të sëmurë”, shtoi ajo.
Ajo tha se, si UN Women, e kanë pasur për detyrë që të sigurojnë që patjetër të merret parasysh perspektiva gjinore, pasi që nevojat e, gjithashtu, edhe barrierat ishin të ndryshme.“Diku 85 për qind të refugjatëve ishin gra dhe fëmijë, prej tyre 68 për qind gra dhe vajza, sepse burrat nuk lejoheshin të linin vendin”, vazhdoi ajo.
Macula tha se në fillim, vetëm në kryeqytetin e Moldavisë, kishte 45 qendra strehimi për refugjatë.























