Osmani: Jam përpjekur për përmirësimin e imazhit të vendit
Sot është bërë një vit që kur Vjosa Osmani mori detyrën e Presidentes së Kosovës. Në një konference për media , Osmani tha se këtë detyrë e mori si rezultat i besimit të qytetarëve.
Si udhëheqëse e politikës e jashtme Osmani tha se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.
“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, tha Osmani.
Ajo tha se me të, Kosova çdo ditë e më shumë po shndërrohet në vend nikoqir të vizitave të nivelit të lartë.
“Sepse tashmë rajoni dhe bota po e kupton se vendi ynë është një partner serioz, i gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat dhe i pjekur për të kontribuar në projekte rajonale e ndërkombëtare”, tha Osmani.
Presidentja foli për imazhin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit, duke thënë se ka punuar maksimalisht në këtë çështje.
“Jam përpjekur maksimalisht që krahas me përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit, të punoj më tej për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar”, tha ajo.
Ajo foli edhe për emërimin e shefave të misioneve, duke thënë se diku tre të katërtat janë diplomat karriere dhe vetëm një e katërta të emëruar sipas çelësit politik. E si komandante supreme foli edhe për ushtrinë.
“Me Shtetet e Bashkuara dhe ushtritë tjera partnere po zhvillojmë diskutimet për intensifikim të bashkëpunimit bilateral ushtarak dhe në çdo vizitë timen jashtë vendit por edhe kur kam prit mysafirë këtu brenda kam iniciuar thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe kjo është bërë edhe më e domosdoshme siç e dini me zhvillimet e fundit në kontinentin tonë“, tha ajo.
Presidentja tha se gjatë punës një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas dhe ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta.























