Nagavci akuzohet për armëmbajtje të paautorizuar
Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-s, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej.
Nagavci ka reaguar në rrjetin social Facebook duke deklaruar se lajmin për aktakuzën e ka kuptuar nga raportimet e medieve. " Për aq sa u njoftova nga mediat, aktakuza ka të bëjë me angazhimin tonë në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme, përkatësisht “Zajednicës” e
“Demarkacionit”, njëra që cungonte sovranitetin, tjetra territorin e Kosovës. Nëse asokohe isha e
sigurt, sot në vitin 2022 jam edhe më e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca përveçse e drejtë
ishte edhe e domosdoshme" ka shkruar Nagavci.























