Meta në Sofje, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën
BKT
Lajme

Meta në Sofje, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot në Sofje është pritur nga homologu i tij bullgar Rumen Radev. Gjatë këtij takimi Meta ka shprehur mirënjohjen e thellë ndaj Bullgarisë për mbështetjen e pakursyer dhe të pakushtëzuar që po i jep perspektivës evropiane të Shqipërisë, teksa ka kërkuar nga BE  liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të ishin shumë të rëndësishme miratimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ana e Bashkimit Europian, sa më parë, ashtu sikurse edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Meta në profilin e tij në Facebook pas takimit me presidentin bullgar.

Sipas tij ndërmarrja e këtyre hapave do të ishte qasje shumë e dobishme dhe strategjike e BE-së për të dhënë mesazhe premtuese për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti lirie, demokracie dhe paqeje në të ardhmen./B.H/


MË SHUME NGA Lajme