Nënshkruhet marrëveshja me Gjermaninë për patentë shoferët
BKT
Lajme

Nënshkruhet marrëveshja me Gjermaninë për patentë shoferët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot është nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Gjeramanisë.

Sveçla ka qëndruar për vizitë në Berlinë me ftesë të Sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale të Gjermanisë, Oliver Luksic.

“Sot kam nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patent shoferëve me  Republikën Federale të Gjermanisë. Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga Z. Oliver Luksic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tutje ka thënë se mërgata jonë ka dhënë shumë për vendin por edhe në shtetet ku ata jetojnë.

“Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë”, ka shkruar tutje ministri i brendshëm.

Ai ka thënë se e ka falënderuar z. Luksic për gatishmërinë për të arritur këtë marrëveshje, por edhe për vullnetin për të eliminuar sfidat eventuale që mund të dalin gjatë zbatimit të saj.

Tutje Sveçla ka bërë të ditur se Ambasada e Kosovës në Berlin dhe gjashtë misionet konsullore në Gjermani janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patent shoferët e Republikës së Kosovës./B.H./


MË SHUME NGA Lajme