Edhe Infantino e uron kreun e FFK-së
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka uruar sot presidentin e FFK-së Agim Ademi, me rastin e rizgjedhjes së tij për mandatin e dytë.
Në telegramin e urimit, i pari i FIFA-s i shpreh urimet më të sinqerta të parit të FFK-së, duke e falënderuar për të gjitha përpjekjet, punën dhe kontributin e tij të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit dhe vlerave të këtij sporti.
“Ju dërgoj juve dhe ekipit tuaj urimet më të mira për këtë mandat të ri dhe çdo sukses për të gjitha sfidat që janë përpara. I nderuar President, pres të vazhdoj të punoj me ju për rritjen dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë në vitet në vijim”, thuhet ndër të tjera në telegramin e Infantinos.
Agim Ademi u rizgjodh dje në krye të FFK-së, me 42 vota për dhe 1 abstenim, në Kuvendin që ngjalli reagime jo të pakta, e ku munguan 15 delegatë të klubeve të pakënaqura, derisa nuk u lejuan as mediat të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, me arsyetim të mungesës së hapësirës.























