VIDEO-Jorg Ruter ia dorëzon detyrën Joachim Hoppe
BKT
Lajme

VIDEO-Jorg Ruter ia dorëzon detyrën Joachim Hoppe

Me ceremoni është bërë transferimi i autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes ku gjeneral brigade Jörg Rüter i ka dorëzuar detyrat eprorit të ardhshëm të NALT-it, gjeneralit Joachim Hoppe. Ata kanë vlerësuar lartë profesionalizmin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë zotuar për bashkëpunim të mëtejmë. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ndërsa ekipit këshillues të NATO-s Mehaj u ka thënë se kanë krijuar një vend të veçantë në shtetin e Kosovës duke theksuar se ky shtet është edhe shtëpia e tyre.

“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s përkrahja përmes NATO-s dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës ka rëndësi të veçantë edhe sot. Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO sepse i ndajmë vlerat e njëjta, mendimet e njëjta demokratike. Prioriteti ynë është të ngrisim kapacitetet operacionale sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Mehaj.

E në emër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ka folur Ariella Viehe, shefe e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s.

“NATO mbetet e përkushtuar për një Kosovë të sigurt dhe paqësore, faleminderit që na keni mundësuar ta bëjmë këtë ditë të mundshme dhe për gjithë punën që e bëni në Kosovë”, ka thënë ajo.

E drejtori i deritanishëm i NALT-it, gjeneral brigade Jörg Rüter i cili për 12 muaj e ka udhëhequr këtë ekip, ka thënë se ka mbetur i impresionuar nga profesionalizmi i pjesëtarëve të Forcës.

 “Gjeneral Jashari faleminderit juve dhe FSK-së për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Gjate vizitave te mija në FSK jam impresionuar nga profesionalizmi dhe entuziazmi i pjesëtarëve të FSK-së. Kemi punuar për një FSK profesionale që përfaqëson të gjitha komunitetet dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa pasardhësi i tij, gjenerali Joachim Hoppe  ka thënë se synimi i NALT-it për këshillim mbetët i pandryshuar

 “Synimi ynë mbetet i pandryshuar, të këshillojmë dhe motivojmë zhvillimin sa më të mirë të organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të promovojmë zhvillimin e institucioneve të sigurisë brenda mandatit të dhënë”, ka thënë ai.

Ekipi i NALT-it brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka mision këshillues dhe ndërlidhës dhe numëron 40 pjesëtarë nga 16 shtete partnere.


MË SHUME NGA Lajme