Kurti: Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën
Në kuadër të Forumit Ekonomik Delfi, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pasur një bashkëbisedim me gazetaren e "Politico Europe" dhe Agjencisë së Lajmeve ANA, Nektaria Stamouli.
Gjatë këtij bashkëbisedimi Kurti ka thënë se tani është koha e duhur që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë. Populli i Kosovës dhe ai i Greqisë dhe të dyja qeveritë nuk kanë çështje të pazgjidhura. Ka një urë dhe duhet ta kapërcejmë atë urë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovën shumë të marrë njohje të reja, në këto rrethana gjeopoltike që t’i bashkohemi NATO-s shumë më herët se sa është menduar para disa viteve”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, i pyetur për vonesën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës, Kurti është shprehur: “Njerëzit janë të frustruar nga vonesa. Edhe unë vetë kam qenë kritik, por ne nuk kemi alternativë tjetër. Qasja jonë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë që anëtarësimi në NATO është synim i Kosovës për sigurinë dhe mbrojtjen e paqes në rajon.
“Jemi në bashkëpunim të afërt me SHBA-në dhe po bëjmë një lloj tranzicionimi të ushtrisë sonë. Po e rrisim me 52 përqind buxhetin e mbrojtjes dhe e shohim SHBA-në si një aleat të pashmangshëm në përforcimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë, por edhe në hapat tonë drejt anëtarësimit në NATO. Me invadimin e Rusisë në Ukrainë përspektiva dhe shpejtësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO është rritur. Kosova dhe NATO janë pjesë e historisë të tashmes dhe të ardhmes. Ne, shpresojmë se mund të kontribuojmë në sigurinë e kontinentit duke u bërë anëtar të NATO-s”, është shprehur Kurti. /B.H./























