VIDEO: Kërcenohet Dick Marty
BKT
Lajme

VIDEO: Kërcenohet Dick Marty

Donika Sherifi

Ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty, tash e 16 muaj po jeton nën mbrojtje të lartë në Zvicër për shkak të kërcënimeve që ka marrë.

Kështu po raporton televizioni zviceran pas një hulumtimi, sipas të cilit, Marty u kërcënua me vdekje nga shërbime të inteligjencës serbe, që kishin për qëllim t’ia linin fajin Kosovës.

Është pikërisht raporti i Martyt i përpiluar në vitin 2010 të cilin e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, në të cilin kishte shkruar për siç tha ai, krimet e kryera nga UÇK-ja. Madje, ky raport ishte marrë për bazë që të themelohej Gjykata Speciale në Hagë e cila po vazhdon proceset kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Raportimin për kërcënim me vdekje të Martyt, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj thotë se nuk duhet lënë me kaq dhe se kjo do të duhej të kishte pasoja për Serbinë.

“Padyshim që avokatët në këtë rast të personave të akuzuar në Hagë do të duhej edhe besoj do ta shfrytëzojnë një gjë të tillë, sepse narrativa dhe si është formuar Gjykata Speciale, narrativa e
raportit të Dick Martyt se si është miratuar në Këshillin e Evropës,tregojnë shumë se kjo ka qenë le të themi një agjendë politike e Republikës së Serbisë për ta ndërtuar se në luftën e fundit në Kosovë kanë kryer krime edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kështu që unë besoj që do të jetë një debat e diskutim edhe në Gjykatën Speciale, dhe varet se si avokatët do te arrijnë ta mbrojnë, ta vërtetojnë për të treguar se kjo gjykatë përveç se është tanimë politike, qëllimin kryesor e ka pasur që ta cenoj integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj thotë se nëse raportimet janë të sakta, atëherë Specialja do të duhej të hetonte rastin.

“Mendoj që kjo është një rrethanë e re që duhet të shfaqet që të kërkohen shpjegime shtesë sepse kjo me të vërtetë është shqetësuese, dhe besoj se avokatët mbrojtës po edhe autoritetet e Kosovës duhet të adresojnë këtë çështje para partnerëve të tyre ndërkombëtarë, por edhe pranë Gjykatës Speciale e Prokurorisë Speciale sepse ata janë kompetentë për tu marrur me të gjitha ato veprime që shkojnë në rrënimin e administrimit të drejtësisë dhe Gjykatës Speciale dhe nëse kjo është e vërtetë çka kanë raportuar mediat atëherë duhet të merret edhe më këtë rast”, ka thënë Hodaj.

Sipas mediave zvicerane, Dick Marty më 18 dhjetor të 2020-s kishte pranuar një telefonatë nga policia e cila e kishte informuar se do të vendoset nën mbrojtje të rreptë të policisë. Raportohet se Marty është në shkallën maksimale të rrezikut prandaj i është dhënë edhe mundësia për ndryshim identiteti e adrese, por që nuk ka pranuar.

Marty ka thënë se kërcënimet po i vijnë nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë, që ta likuidojnë thjeshtë për t’ua vënë fajin kosovarëve.

 


MË SHUME NGA Lajme