Ngritja e çmimit në produkte të bujqësisë ka pamundësuar të punohet toka
Arlinda Sejda
Shumë tokë e Kosovës ka mbetur djerrinë. Bujqit kanë arsye të ndryshme përse nuk mund ta punojnë atë.
Sidoqoftë, një mërgimtar ka vendosur të vijë nga Gjermania e të punojë arat e tij. Me
krizën globale në derë, si luftën në Ukrainë, ai deklaron se është më mirë që në tokat e vendlindjes të ketë diçka të mbjellë.
Mërgimtari Bajram Mulliqi që jeton në Gjermani, pushimin po e kalon në vendlindje, në fshatin Abri të Epërme të Drenasit. Por sivjet, ai vendosi që të vijë nga Gjermania, e ta punojë tokën.
" Këto krizat globale sidomos lufta e Uraines, se krejt drithërat, 40 për qind prej Ukraine, nuk donë aq shumë punë, 3-4 ditë, e ke bukën për 3-4 vite, pse mos me e mbjellë", ka thënë Mulliqi.
Ai tregon se e ka punuar tërë tokën që ka në vendlindje, dhe pret që në vjeshtë të mbjell grurë.
"Secili duhet ta punoj tokën edhe bashkatdhetarëve të mi ju bëjë apel, nuk ju kushton shumë, një pushim, vjen e lëvron, e mbjelle nuk e lë djerrinë”, ka shtuar mërgimtari Mulliqi.
Por të tjerët në fshat, ankohen par çmimet e larta derivateve farës e pesticideve.
" Ngritja e çmimit në produkte te bazë në bujqësi ka pamundësuar që sivjet të punohet toka bujqësore”, kanë thënë disa qytetarë.
Sidoqoftë, për dallim nga bashkëvendësit, Isa Mulliqi, nuk ka hequr dorë nga të mbjellat e sivjetme, derisa thotë që çmimet e produkteve bazë bujqësore janë shumë të larta.
" Çdo vit mbjellim, vështirësi kemi shumë se janë bë të gjitha shtrenjtë, edhe pse toka me mbet batallë është keq, s’kemi të ardhura tjera, veç prej toke, janë bo te gjitha shtrenjtë, gruri e kollomoqi, e të gjitha”, tha Isa Mulliqi.
Hapësira më të vogla të tokës për mbjellje nuk subvencionohen as nga komuna as nga ministria e bujqësisë.























