Boletini: RTK-së ia kemi kthyer pavarësinë editoriale
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal po mban mbledhjen e radhës ku po shqyrtohet raporti vjetor i Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2021.
Në fjalën e tij hyrëse para komisionit kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se ashtu siç e parasheh Ligji i RTK-së e ka dorëzuar dhe e prezantuar Raportin e vitit paraprak.
“Ne si Bord dhe as menaxhmenti aktual nuk kemi qenë në këto pozita gjatë kësaj periudhe, por konsideroj se edhe pse ka qenë një vit pandemik dhe me sfida të shumta RTK ka arritur t’i përmbushur objektivat programore me aq kapacitete dhe kushte që ka”, ka theksuar kryetari i Bordit, Besnik Boletini.
Ai ka thënë se raporti i dorëzuar përmban në mënyrë të detajuar secilin emision dhe program në çfarë forme është transmetuar.
Ai më tej është fokusuar tek pjesa e dyjavëshit të fundit të vitit, kur edhe e ka marrë detyrën Bordi aktual.
“Në dy javët e fundit të vitit kemi marrë disa vendime të rëndësishme sa i përket ecurisë së punës dhe kthimit të ligjshmërisë në RTK. Nga 16 dhjetori deri tash kemi mbajtur 19 mbledhje, ku janë trajtuar pika të rëndësishme për RTK-në. Ndër pikat fillestare kemi vendosur transparencën si një standard të ri, i cili nuk ka ekzistuar më parë nga Bordi i RTK-së“, ka shtuar Boletini.
Ai ka thënë se pas çdo mbledhje lëshohen komunikata nga Bordi, derisa në mbledhje është lejuar edhe prania e monitoruesve dhe palëve të tjera, gjë që sipas tij i bën mirë punës së Bordit të RTK-së, pasi llogaridhënia është në nivelin e duhur.
Ai tutje ka numëruar disa prej vendimeve të para të Bordit aktual, si ndalimin e blerjes së lajmeve nga agjencitë vendore, blerjen e emisioneve informative dhe ndalimin e dhënies së marketingut me kompensim.
“Ka qenë e çuditshme që RTK-në e kemi gjetur me mbi 1000 punëtorë, por ka blerë lajme prej dy agjencive vendore. Për më keq, sidomos gjatë vikendeve ato e kanë përcaktuar politikën editoriale sepse shumica e temave të tyre janë transmetuar në edicionet e lajmeve. Fatkeqësisht ato kanë kontratë deri në gusht, por ne tashmë e kemi eliminuar 90 përqind praninë e tyre në RTK. Tjetri vendim ka qenë mosblerja e emisioneve informative. RTK ka borxhe pikërisht për shkak të blerjes të këtyre emisioneve dhe RTK duhet të prodhojë vet. Po ashtu kemi bërë ndalimin e dhënies së marketingut me kompensim, pasi kjo na ka shkaktuar probleme të mëdha”, ka nënvizuar Boletini.
Ai ka thënë se tashmë kanë vërejtur gjëra pozitive, pasi punëtorët kanë filluar të dalin më shumë në punë dhe ka filluar vlerësimi i performancës së secilit, si dhe ka një pavarësi editoriale.
“Aktualisht RTK e ka një pavarësi editoriale. Askush nga Bordi nuk ndërhyn te Drejtori dhe as drejtori te vartësit e tij çka duhet të dalë në RTK. Dhe kjo ndodh pas një kohe të gjatë në RTK. Ata që punojnë brenda e dinë komoditetin e kësaj se qysh është të punosh pa të dhënë rekomandime dikush nga jashtë“, është shprehur kryetari i Bordit të RTK-së.
Mbledhja po vazhdon me pyetje nga anëtarët e Komisionit për Bordin e RTK-së./B.Halimi/























