Nuk miratohet raporti i RTK-së për vitin 2021
Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për vitin 2021 nuk është miratuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. 6 anëtarë të këtij Komisioni kanë votuar kundër miratimit të këtij raporti.
Në raportim para këtij Komisioni parlamentar kanë qenë kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, nënkryetarja Arta Berisha dhe anëtarët Driton Hetemi, Safet Kabashaj, Fatime Lumi- Qehaja, Albulena Mehmeti dhe ushtruesi i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj. Kryetari i bordit, Besnik Boletini gjatë prezantimit të raportit ka vë në pah se as Bordi e as menaxhmenti aktual nuk kanë qenë në periudhën për të cilën është dorëzuar raporti, por ka thënë se përkundër faktit se ka qenë një vit pandemik dhe ka pasur shumë sfida RTK ka arritur ta përmbushë misionin e saj. Ai më shumë është përqendruar te dyjavëshi i fundit për vitin 2021, kur edhe është emëruar Bordi i ri. Ai ka vlerësuar se janë ndërmarrë shumë veprime nga Bordi aktual dhe tani situata ka nisur të përmirësohet në të gjitha aspektet. Gjatë raportimit në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, Boletini ka bërë të ditur se aktualisht borxhi i RTK-së është rreth 1.6 milion euro, teksa ka thënë se përveç këtij borxhi, RTK rrezikon të humbasë para edhe në Gjykata, shkaku i ndërprerjes së kontratave në të kaluarën. “RTK rrezikohet goxha shumë. Madje, rrezikojmë të na bllokohen llogaritë sepse RTK i ka trashëguar 1.6 milion euro borxhe nga vitet paraprake. Në kuadër të keqmenaxhimeve në RTK, kanë ndodhur shkëputje të kontratave. Çështjet përmbarimore janë shqetësimi ynë i tanishëm”, ka thënë Boletini.
Ai po ashtu ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me një mori rastesh që kanë ndodhur në RTK në të kaluarën, por sipas tij nuk mund të jepen më shumë informacione, pasi procesi është në fazën fillestare.
Deputeti Besim Muzaqi ka pyetur se kur do të ketë auditiim për RTK-në, teksa kryetari i Bordit ka thënë se kanë marrë garancë për një auditim profesional.























