Halili: Kompensimi financiar nuk ishte qëllimi, por vendosja e drejtësisë
Ushtruesi i detyrës i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Arsim Halili, i cili ka hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar prej 21 mijë eurove, që i kishte fituar përmes një procesi gjyqësor kundër RTK-së në vitin 2019, ka thënë se kompensimi financiar nuk ka qenë qëllimi i tij, por vendosja e drejtësisë.
Halili përmes një shkrese drejtuar edhe U.D drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, thekson se ndihet optimist për zhvillimet e fundit në televizionin publik.
Ai potencon se, marrë parasysh gjendjen e rëndë financiare të televizionit dhe faktit që është në pozitë menaxheriale, e ka parë të nevojshëm këtë hap.
Më poshtë njoftimi i plotë i Halilit:
Në vitin 2019 e kam fituar një kontest gjyqësor kundër RTK-së pas një vendimi arbitrar dhe kundërligjor të suspendimit dhe degradimit 6 shkallësh nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala. Në fund të kësaj beteje disavjeçare, Gjykata kishte vendosur në favorin tim. Deri në këtë fazë, aktgjykimi parasheh dëmshpërblim financiar prej 21 mijë eurosh në total.
Kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete për mua, krahasuar me betejën time konsistente për vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e ligjshmërisë në RTK. Duke qenë kështu, ju njoftoj se kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga ky kompensim.
Përkushtimi im për një RTK në shërbim të publikut, do të vazhdojë njejtë edhe në tê ardhmen.
RTK-ja ka filluar një fazë të re të zhvillimit dhe konsolidimit, për të cilën kemi kontribuuar dhe sakrifikuar prej vitesh. Jam i lumtur dhe shumë optimist për përfundimin e epokës së degradimit të RTK-së.























