Rastet e dhunës në familje, nga viti në vit, janë duke u rritur
Albulena Bytyqi, Radio Kosova
Rastet e dhunës në familje nga viti në vit janë duke u rritur. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat nga Policia e Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm gjatë vitit 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar 2 mijë e 486 raste. Kjo tregon për një rritje prej rreth 25 për qind të rasteve në krahasim me vitin paraprak.
Edhe Vehbi Mujku, nga Qendra për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, thotë për Radio Kosovën se dhuna në familje vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në gjithë vendin.
Një person në Suharekë është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht babanë e tij, një mashkull në Gjakovë ka ushtruar dhunë kundrejt bashkëshortes dhe djalit, ndërsa në Malishevë, një femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga motra e saj. Këto janë vetëm disa nga rastet e dhunës në familje të raportuara nga Policia e Kosovës brenda një dite. Raste të tilla të dhunës në familje janë shumë të shpeshta në raportet e policisë.
Të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2021 për rastet e dhunës në familje nxjerrin shifra shqetësuese. Numri total i rasteve të raportuara gjatë vitit të kaluar në Policinë e Kosovës është 2 mijë e 486 raste, prej tyre 500 viktima janë meshkuj ndërsa 1 mijë e 986 femra.
Derisa më herët dhuna në familje është ushtruar kryesisht ndërmjet bashkëshortëve, tani për shkaqe të ndryshme, sidomos shtimi i rasteve të përdorimit të substancave narkotike, përdorimit të alkoolit dhe rrethanave të tjera, kanë ndikuar që të ndryshojë edhe forma e dhunës në familje. Kështu thotë për Radio Kosovën Vehbi Mujku, nga Qendra për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës.
"Nuk kemi të bëjmë me dhunën në familje vetëm ndërmjet bashkëshortëve, pikërisht për këto shkaqe është shprehur edhe dhuna ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, fëmijëve ndërmjet vetit, gjysheve dhe anëtarëve të tjerë. Dhe kjo na shqetëson edhe me shumë e po ashtu edhe rastet kur fëmijët ndërmjet vetit ushtrojnë dhunë e kjo na sjell në një situatë të vështirë, sepse ne për momentin kemi mundësi t’u bëjmë strehim grave dhe vajzave deri në moshën 18 vjeçare por nuk kemi mundësi të bëjmë strehim për meshkujt mbi moshën 12 vjeçare e shumë herë, vijmë në një situatë që nuk kemi ku t’i strehojmë këta meshkuj, tha ai.
E psikologja Albana Bytyqi, ka thënë se dhuna në familje cenon drejtpërdrejt integritetin dhe mirëqenien dhe shfaqet përmes tendencave dhe shkaktimit të lëndimeve fizike, psikologjike dhe mund të prekë ndjeshmërisht secilin person të çdo moshe.
"Shkaqet më të njohura të dhunës në familje që ne i njohim janë: dinamikat dhe strukturat e familjes që kanë një peshë jashtëzakonisht të madhe, pastaj janë stilet e zgjidhjes së konflikteve se si anëtarët e familje i zgjidhin konfliktet dhe si i manifestojnë sjelljet e tyre, pastaj mungesa e burimeve, rasti konkret rënia e ekonomisë në kohët e fundit.
Policia e Kosovës është një nga institucionet kyçe në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, por në luftimin e kësaj dukurie është i nevojshëm një koordinim ndërmjet institucioneve relevante si policia, prokuroria, gjykatat, mbrojtësit e viktimave, qendrat për punë dhe mirëqenie sociale, e që përbëjnë zinxhirin kryesor të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat", tha ajo.























