Gërvalla e Fragogiannis diskutojnë për thellimin e raporteve Kosovë-Greqi
Shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla sot priti në takim zyrtar një delegacion grek të kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike i Greqisë, Kostas Fragogiannis.
Temë kryesore midis dy delegacioneve ishte nevoja për thellimin e mëtejshëm të raporteve midis Kosovës dhe Greqisë në sferat me interes, sidomos në ekonomi, tregti, arsim, kulturë dhe turizëm.
Gjatë këtij takimi, vend të theksuar zuri edhe diskutimi mes palëve mbi situatën e krijuar pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe rreziqet që i kanosen rajonit.
Gërvalla përsëriti se Kosova dënon invazionin rus dhe mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, dhe qysh në fillim është rreshtuar përkrah aleatëve të saj, duke iu bashkangjitur sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për rreziqet që mund të ketë rajoni nga agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, ministrja Gërvalla theksoi se përkrahja e vazhdueshme e Serbisë ndaj aleatit të saj, Rusisë, edhe në këtë rast, kërkon një mesazh dhe pozicionim të qartë të BE-së.
Në fund të këtij takimi, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij grek Kostas Fragogiannis, nënshkruan dokumentin e formalizmit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis dy shteteve.























