VIDEO-OVL e UÇK-së: Kosova të mos heshtë karshi deklaratave të Dick Martyt
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë sqarime lidhur me deklaratat e ish-senatorit Dick Marty, pas deklarimeve të këtij të fundit se ka qenë cak i një atentati nga shërbimi sekret serb. Ndërkohë që konsideron se i njëjti do të duhet të ftohej si dëshmitar nga Gjykata Speciale.
Ushtruesi i detyrës të OVL-së të UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë për media tha se nuk është hera e parë që Serbia është munduar që t’ua veshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i bën vet.
Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës të mos heshtin dhe t’i ngritin në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi sekret serb, i cili synonte të fajësonte shqiptarët.
“Shteti i Kosovës konsiderojmë që s’do të duhej të heshte, qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash, kur gjoja po kërcënohet nga sigurimi shtetëror serb, por edhe nëse kërcënohet, shteti jonë do të duhej që në takime të vazhdueshme me organizmat ndërkombëtarë ta ngritë edhe si çështje sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se nuk është bërë asnjë hetim në përputhje me kërkesat e organizatave të dala nga lufta. Derisa ka shtuar se Kosova përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme është dashur të kërkojë sqarime shtesë nga Parlamenti Evropian rreth akuzave të Dick Martyt për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”.























