Rushiti: Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës meritojnë përkrahje
Dje për herë të parë është shënuar dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Organizatat joqeveritare, të cilat merren me këtë çështje kanë kërkuar nga institucionet që 14 prilli të zyrtarizohet si datë në të cilën do të përkujtohen viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare të Rehabilitimit dhe të Mbijetuarve të Torturës, në emisionin “Aktual” në RTK, ka folur rreth kësaj çështje.
Ajo ka thënë se më 14 prill të vitit 1999 ka ndodhur dhunimi i Vasfije Krasniqi Goodman nga forcat serbe, derisa në këtë datë më 2019, ajo për herë të parë shkoi në Babimoc te vendi i krimit dhe arriti ta mposhtë dhimbjen e vet dhe të ballafaqohet me atë skenë.
“Përveç emocioneve negative dhe dhimbjes në atë ditë, kjo rezononte edhe një të vërtetë të hidhur për shumë gra dhe burra që gjatë periudhës së prillit kanë përjetuar dhunim masiv. Prilli, jo vetëm në regjistrin e Qendrës Kosovare për Rehabilitim por edhe në regjistrat e organizatave tjera joqeveritare, dominon si muaj që kanë ndodhur dhunime masive gjatë luftës në Kosovë“, ka thënë Rushiti.
Ajo ka thënë se fakti që Vasfija për herë të parë arriti publikisht ta mposhtë dhimbjen dhe të ballafaqohet me skemën e krimit, ka bërë që organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje ta propozojnë 14 prillin si datë simbolike që do ta kujtojë sakrificën dhe vuajtjen e mijëra grave dhe burrave të cilët padrejtësisht u bënë pjesë e fushëbetejës me trupin e tyre në formë të pambrojtur, duke iu nënshtruar një krimi që është krimi më barbarë në historinë e njerëzimit.
“Vitin e kaluar e ka marrë kërkesën presidentja Osmani për shënimin e kësaj date dhe krerët e institucioneve tona arritën që këtë ditë ta ndajnë me ne dhe t’i dëgjojnë shqetësimet e viktimave”, ka shtuar Rushiti.
Ajo më tej ka folur edhe për letrën avokuese që kanë dërguar tek institucionet.
“Ne kemi kërkuar që 14 prilli të jetë ditë zyrtare memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Duam që në këtë ditë shoqëria kosovare të mobilizohet dhe të qojë mesazhin pozitivë që këto gra dhe burra të përkrahen përmes aktiviteteve të ndryshme. Ne, po ashtu kemi kërkuar që të ndryshohet edhe emri i Komisionit për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale”, ka thënë ajo.
Sipas Rushitit për shkak të sigmatizimit dhe paragjykimit shoqëror fjala verifikim i cenon edhe më shumë të mbijetuarit e dhunës seksuale, prandaj ata kërkojnë që emri të jetë Komisioni për njohjen e statusit të dhunës seksuale.
“Kemi marrë premtime nga krerët e institucioneve që do ta mbështesin këtë iniciativë, tash na ngelet neve si organizata që ta shtyjmë agjendën përpara”.
Ajo ka kërkuar që ky grup i ndjeshëm shoqëror të ketë trajtim të barabartë me grupet e tjera të dala nga lufta. Në raport me benificionet dhe të drejtat sipas Rushitit grupi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është i diskriminuar, parasegjithash në shërbimet mjekësore./B.Halimi/























