Stavileci: Për të gjithë punëtorët e të papunët të ndahen 100 euro çdo muaj
Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë lidhur me vendimin e fundit rreth përcaktimit të pagës minimale në vlerë prej 250 euro neto si dhe subvencionimin me nga 100 euro të disa kategorive të qytetarëve.
Gjatë një konference për media, anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.
“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimit, zgjodhën goditjen e sërishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit.
“PDK konsideron se qytetarët, me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro. Qeveria ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Por, a duan? Kjo mbetet në ndërgjegjen e tyre institucionale dhe elektorale”, ka shtuar Stavileci.
Ai tutje theksoi se me këtë vendim u diskriminuan shumë kategori; Nga ata që me 11 euro e 10 cent në muaj apo 37 cent në ditë nuk mund ta blejnë as një kilogram bukë në ditë e deri tek të papunët që edhe pse në numër të shumtë s’do t’i marrin as edhe këto 37 cent.
“Fatkeqësisht për këta qytetarë e të papunë, qeveria është në deflacion flagrant të vizionit, ideve, planeve dhe projekteve me të cilat këto kategori të rëndësishme do të përfitonin gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm për një muaj të vetëm, e edhe ashtu me vlerë diskrimuese dhe të pamjaftueshme”, nënvizoi Stavileci.
Ndërkaq, sekretari për organizim i PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë se për këtë parti është i papranueshëm diskriminimi që Qeveria po ua bën veteranëve të UÇK-së.
“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, të përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, të cilat kanë obligime ligjore dhe morale ndaj tyre. Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj”, ka thënë Gjoshi.
Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenari kombëtare e historike dhe është detyrë secili që ta mbrojë dhe lartësojë emrin e saj.























