Dëshmitarët rrëfejnë për masakrat e Poklekut e Çikatovës së Vjetër
Fatos Cervadiku
Masakrat e mizoria serbe mbi shqiptarët vazhdon të jetë pjesë e kujtimeve të gjithsecilit e veçanërisht atyre që ishin dëshmitarë të këtyre ngjarjeve.
23 vjet pas, Leutrim Caraku i ruan në kujtesë tmerret e 17 prillit të vitit 1999 kur forcat serbe vranë e masakruan 54 civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra e pleq.
“E kanë gju një tjetër bombë dhe aty më ka humbur vetëdija se mu kanë gjuajtur shumë trupa përmbi. Pas një kohe kur mu kthye vetëdija e pashë që mbi mua ishte koka e vëllait. Ata e kish rrokë plumbi në kokë dhe gjaku i tij më kishte mbuluar. Ai (paramilitari, v.j.) i shikonte trupat dhe i prekte me këmbë nëse i ka mbytur të gjithë”, ka rrëfyer për RTK-në, Leutrim Caraku, i mbijetuar i masakrës së Poklekut.
Por forcat serbe nuk u ndalën me kaq. Në të njëjtën ditë, ushtarët dhe paramilitarët serbë të dirigjuar nga Millosheviq kryen edhe një masakër tjetër mbi civilët shqiptarë, në Çikatovë të vjetër të Drenasit, ku u masakruan e u dogjën 24 persona.
Petrit Morina nga ky fshat humbi 7 anëtarë të familjes së tij. “Gratë dhe fëmijët i kanë nisur në drejtim të Drenasit, derisa meshkujt prej moshës 15 vjeçare deri 90 vjeçar na kanë marrë dhe na kanë vendosur në një oborr të kushëririt tim, Ylberit dhe aty është bërë ekzekutimi i 24 civilëve të pafajshëm të Çikatovës së Vjetër”, ka theksuar Petrit Morina, i mbijetuar i kësaj masakre.
Për vrasjet dhe masakrat në Poklek, Çikatovë dhe vende të tjera të Kosovës, Serbia ende nuk e ka pranuar përgjegjësinë e as nuk ka kërkuar falje.























