Shqiptarët e Luginës, shtetas pa shtetësi
Muharrem Miftari
Mbi 7 mijë qytetarë të Luginës së Preshevës, kanë mbetur pa shtetësi, përkatësisht, pa asnjë dokument të vetëm identifikimi. Qeveria e Serbisë vazhdon t’I shpopullojë në heshtje këto troje nga shqiptarët.
Për rrjedhojë, ata që fshihen nga regjistrat civilë, nuk kanë të drejetën e punësimit, shkollimit e as të votimit. Kështu, në Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, me vendim të Beogradit, atyre që nuk jetojnë atje, u janë pasivizuar adresat, pavarësisht se kanë pasuri të paluajtshme dhe janë banorë autoktonë.
Në emisionin “Imazh i ditës” në RTK, kjo temë u diskutua nga të ftuarit Kujtim Sadriu nga Organizata Joqeveritare “Qendra për Hulumtim dhe Monitorim”, gazetarja e RTK-së, Kaltrina Rexhepi-Dragusha, nga redaksia e emisionit hulumtues “Udhëve” dhe Kushtrim Kadriu nga Lëvizja qytetare “Vatra”. Gjithashtu nga gazetarja Rexhepi-Dragusha, u transmetuan edhe deklarata të mbledhura të shqiptarëve të Luginës që kanë vite që jetojnë në Kosovë, pa asnjë dokument, e që, në fakt, zyrtarisht përballë ligjit, ata janë persona ilegalë.
Ajo tha se ka kohë që provon të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brenfdshme, por, deri më tash, kjo ka qenë e pamundur.
Përfaqësuesi i organizatës “Qendra për Hulumtim dhe Monitorim”, Kujtim Sadriu, deklaroi se, sipas informacioneve që ai posedon, deri më tani në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujabnovc, janë pasivizuar mbi 7 mijë adresa. Ai tha se pjesa më e madhe e pasivizimit të adresava është zhvilluar në Medvegjë.
Siaps Sadriut, një pjesë e këtyre banorëve që u janë pasivizuar adresat jetojnë në mërgatë dhe në Kosovë, ndonëse ata shkojnë shpesh në vendlindje.
‘’Pushteti kryen një kontroll rutinor nëpër vendbanimet e shqiptarëve dhe, në rast të mungesës së tyre, atyre u pasivizohen adresat’’, tha Sadriu, duke shpjeguar mënyrën se si Serbia po spastron etnikisht Luginën nga shqiptarët.
Ndërkaq Kushtrim Kadriu, përfaqësues i Lëvizjes qytetare ‘’Vatra’’, shtoi se Malësia e Bujanovcit, thuajse është zbrazur, ku mëse 5 mijë banorëve u janë pasivizuar adresat.
‘’Bile, kohëve të fundit, Serbia u ka dërguar letra për pasivizimin e adresave edhe banorëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë atje’’, sqaroi Kadriu. Ai qortoi partitë politike në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe faktorin ndërkombëtar, që po e anashkalojnë këtë që po ndodhë në Luginë të Preshevës nga ana e Qeverisë së Serbisë.























