20:34 / 19.04.2022
Dy shpjegime për dështimin e krijimit të një komisioni hetimor
Pas dështimit të votimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë, opozita ka vendosur të mos shkojë në seanca të Kuvendit, derisa të formohet ky komision.
E për këtë zhvillim politik të ditës, që përplasi pozitë e opozitë, u debatua në emisionin “RTK Prime”, ku temë ishte edhe çështja e sigurisë, pas sulmeve të ditëve të fundit mbi policinë e Kosovës në veri të vendit.
Të ftuarit Mufail Bajçinovci, deputet nga radhët e LVV-së, Rashid Qalaj, deputet nga radhët e PDK-së, e të cilët janë edhe anëtarë të Komisionin Parlamentar për Siguri, si dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, ekspert i çështjeve të sigurisë, treguan arsyet përse duhet apo nuk duhet formuar një komision i tillë hetimor.
Deputeti Bajçinovci, mes tjerash deklaroi se pozita nuk e ka bllokuar seancën, por çështja është te kryesuesi, duhet të jetë dikush nga radhët e LDK-së, e që sipas tij nuk mundet.
“Opozita në Kuvend ka deklaruar çështjen e kryesuesit, për kryesues është blloku”, tha deputeti Bajçinovci.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e PDK-së, Rashid Qalaj, shtoi se nuk është hera e parë që pozita po bënë një veprim të tillë, ndërkohë që bëri të ditur se partia që përfaqëson është inicuese e këtij komisioni hetimor për çështje të energjisë, duke sqaruar se me nismën e tyre, janë grumbulluar 40 nënshkrime të deputetëve, me ç’rast bëhet i mundur themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e energjisë.
Deputeti Qalaj kundërshtoi pretendimin e deputetit Bajçinovci se PDK, me inicimin për themelimin e këtij komisioni, ka shkelur Kushtetutën.
Ndërsa ish-deputeti Nuredin Ibishi, deklaroi se ky komision është dashur të kalojë, duke vënë në pah të metat e legjsilacionit lidhur me këto çështje./M.M.
Për më tepër ndiqni videon:























