Papritur Lajçak nesër në Serbi
BKT
Lajme

Papritur Lajçak nesër në Serbi

I dërguari i Bashkimit Evropian për dilogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, papritur nesër mbërrin në Serbi, derisa nesër e pasnesër, në Bruksel, mbahen bisedimet për targat mes Kosovës e serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja.

Njoftimi është dhënë të martën vonë nga shërbimi për media i Presidencës së Serbisë.

Detaje nuk janë bërë të ditura, por sipas këtij noftimi, do të jetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do ta presë në takim emisarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve.

Siç është bërë e ditur, takimi do të mbahet pikërisht në mesditë, në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë.

Presidenca serbe njoftoi se pas takimit do të lëshohet një komunikatë për media.

RTK ka kërkuar përgjigje nga zyra për media e BE-së, pas këtij njoftimi të orëve të vona të presidences së Serbisë. Megjithatë të martën vonë, në mbrëmje, askush nga zyra për media e BE-së, në Bruksel, nuk iu përgjigj përpjekjeve të RTK-së për të kuptuar arsyen e kësaj vizite të Lajçakut në Beograd dhe nëse i njëjti do të vijë më pas në Kosovë.

Kjo vizitë e Lajçakut në Beograd, ndodhë në ditën kur në Bruksel takohen grupet punuese të Kosovës e Serbisë në përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje për targat e automjeteve. Kjo pasi pas tensioneve të muajit shtator të vitit të kaluar kur Kosova vendosi reciprocitet ndaj Serbisë, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri.

Zhbllokimi i tyre ndodhi pasi palët u dakorduan që brenda gjashtë muajve të arrijnë marrëveshje, ndërkohë që u vendos që simbolet shtetërore të targave të të dy vendeve të mbulohen me stikersa.

Ky dakordim, skadon me 21 prill 2022.


MË SHUME NGA Lajme