Dëshmitari i 11-të, flet për kamp e stërvitje në Zllash
BKT
Lajme

Dëshmitari i 11-të, flet për kamp e stërvitje në Zllash

Valbona Thaçi/ RTKLive.com

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon gjykimi ndaj ish eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Në këtë proces gjyqësor, Musli Halimi, është dëshmitari i 11 që po jep dëshminë dhe të mërkurën u mor në pyetje nga mbrojta e të akuzuarit Mustafa.

Ai ka treguar arsyen dhe angazhimin e tij në fshatin Zllash të Prishtinës në kohën e luftës në Kosovë.

Para trupit gjykues në Speciale, Halimi rrëfeu  se si dhe kur ka shkuar në atë fshat.

“Unë isha në Gjermani nga viti 93-98, prej Gjermanie kam ardhë në Shqipëri në 1998 dhe prej Shqipërie kam ardhur këmbë ne Zllash. Kam hyrë në UÇK në maj të vitit 1998”, tha  ai.

Halimi ka deklaruar se qëllimi i shkuarjes në Zllash ka qenë se ishte paraparë të hapej një qendër stërvitore dhe që bënin parapërgatitje për hapjen e saj, proces që ka zgjatur 15 ditë.

Ai shtoi se ka qenë komandant i kësaj qendre stërvitore, që ka qenë vartëse e “Brigadës 153”.

Halimi tha se kur ka shkuar në Zllash, epror e kishte Fatmir Sopin. Poashtu, tha se ka pasur edhe eprorë të tjerë, të cilët ishin Rrahman Dini, Sejdi Veseli, e të tjerë.

“Sa e di unë, shef i Shtabit të “Brigadës 153”, ka qenë Rrahman Dini” tha ai.

I pyetur se a kishte lidhje të ngushta me Sejdi Veselin, dëshmitari Halimi tha se nuk ka pasur  lidhje të veçantë, por bashkëpunim për përpilimin e planit, sikurse me Fatmir Sopin e Rrahman Dinin.

Shtabi i Brigadës, Halimi tha se ka qenë më poshtë se qendra stërvitore, në një objekt privat, shtëpi private, ku kanë qëndruar të njëjtit.

Si trajnues për rekrutet e rinj, Halimi gjatë dëshmisë se tij e ka treguar te gjithë procesin, që sipas tij,  ka funksionuar qendra stërvitore në Zlash.

Dëshmitari Halimi tregoi se gjenerata e parë ka qenë diku 50 persona, ndërsa të tjerat 100 deri në 150 persona.

“Gjenerata e parë ka filluar stërvitjen më 1 shkurt dhe ka përfunduar më 15 shkurt 1998”, tha ai.

“Gjenerata e fundit ka filluar më 1 prill, por nuk kam qenë prezent për gjithë gjeneratën dhe e kam lënë në gjysmë”, tha Halimi.

Seanca është nëdërprerë për pushim dhe vazhdon pasdite.


MË SHUME NGA Lajme