Seanca e re me problemin e vjetër
Seanca e radhës plenare është më 28 prill, ku në rend ditë është sërish krijimi i Komisionit Hetimor për Energji, kështu tha ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari - Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Naser Mekolli / RTKlive.com
Ajo, lidhur me këtë tha se me formacionin aktual bllokohet formimi i komisioneve parlamentare, pasi nuk ka grup parlamentar që mund të udhëheqë me Komisionin.
Kërkesa për një komision hetimor për çështjen e energjisë është bërë nga PDK.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, në mbledhjen që ka zgjatur për afro 2 orë, ka thënë se është diskutuar mbi arsyet e themelimit të komisionit hetimor për blerjen e energjisë elektrike dhe punësimet në KEK
“Kemi pasur një debat goxha të gjatë, argumente dhe kundërargumente, se pse duhet të themelohet një komision i tillë hetimore për blerjen e energjisë eklektike dhe punësimet në KEK”, tha ai.
Tahiri tha se për herë të parë pozita po e pengon krijimin e një komisioni hetimor. Ndërsa theksoi se qëndron prapa vendimit për të mos qenë pjesë në votim.
Sa i përket mosrespektimit të vendimit të gjykatës për çmimin e energjisë elektrike, ai tha se "qysh nesër do të procedoj kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për secilin anëtar të ZRRE-së".
Kjo kërkesë e PDK-së nuk daton vetëm nga kërkesa e fundit, por ka qenë edhe më herët nga gjashtë deputetë, me temë hetim për blerjen e energjisë elektrike dhe punësimet në KEK.
“Kemi kërkuar nga mazhoranca dhe kemi inicuar edhe më parë, por nuk u votua nga shumica për një komision hetimor parlamentar. Ne si grupe dhe si deputetë të opozitës themi se ajo çka u tha nga VV-ja nuk qëndron. Inicues të këtij komisioni është PDK, nuk jemi tri grupe, ndërkohë që kemi nënshkrime nga katër grupe parlamentare. Grupi i PDK-së është inicues i këtij procesi me 40 nënshkrime. Cili është roli i kryesuesit që VV-së po i pengon kaq shumë? Ne jemi në situatë duke bllokuar një hetim. 100 milionë euro tregon qartë për pozicionin e tyre. Ne propozuam me 6 nënshkrime dhe e rrëzuan. Kërkesa nuk tërhiqet në asnjë mënyrë”, tha Tahiri.
Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë partitë opozitare kanë kërkuar që të votohet Komisioni Hetimor për çështjet e energjisë elektrike.
Tahiri ka thënë se qëndrimi i AAK-së është i qartë, pa u votuar ky Komision, nuk do të marrin pjesë në asnjë votim.
“Ishte një debat i gjatë, qëndrimi i AAK-së është i thjeshtë, kërkesa për një komision hetimor për çështjen e energjisë është bërë nga PDK dhe nënshkrues të kësaj kërkese janë deputetët. Për vlerësimin tonë është e habitshme dhe e pakuptimtë dhe, njëherësh, zgjon kureshtje të madhe pse shumica e kundërshton themelimin, çka janë duke fshehur? Është e papërceptueshme për mua pse refuzohet themelimi i këtij komisioni dhe çka po fshehet”, tha ai.























