Lajçak: Sot nuk është arritur marrëveshje për targat
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, u deklarua në rrjetet sociale, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për targat mes dy vendeve, me ndërmjetësimin e tij, sot në Bruksel.
Muharrem Miftari/RTKLive.com
Megjithatë, Lajçak u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që, në ditët në vijim, të takohen sërish për të diskutuar për këtë çështje.
Kjo pasi sot (21 prill), ishte afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje afatgjate, pas dakordimit të para gjashtë muajve, kur u shfaqën tensione mes Kosovës e Serbisë.
“I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale”, shkroi Lajçak në Twitter.
“Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, shtoi ai.
Nga sonte në mesnatë, zyrtarisht dakordimit të Kosovës e Serbisë për vendosje të stikersave mbi simbolet në targa të automjeteve, i skadon afati.
Nuk dihet se si do të veprohet më tej, ndonëse kryenegociatori i Kosovës, zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, tha pas takimit se do të veprohet në qetësi dhe për këtë nuk mund të deklarohet tash për tash.
Ai tha se pala serbe ka refuzuar çfarëdo propozimi të palës kosovare.
























