Jashari dhe Kalnins zotohen për rritje të bashkëpunimit ushtarak
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim Shefin e Mbrojtjes të Republikës Letonisë, Gjenerallejtënant Leonīds Kalnins.
"Gjatë këtij takimi, Gjeneral Jashari i shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë të kontingjentit të forcave letoneze në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës që nga viti 2000, si dhe ritheksoi aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në NATO dhe drejtimin strategjik ushtarak të Kosovës", thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Mbrojtjes.
Po ashtu sipas këtij njoftimi, dy gjeneralët diskutuan për situatën në Ukrainë dhe ndikimin e Rusisë në rajonin e Baltikut dhe atë të Ballkanit, ku gjatë kësaj periudhe të ndjeshme, u vlerësua nevoja për mbështetje të ndërsjellët mes dy vendeve.
Tutje vazhdon njoftimi se të dy gjeneralët u zotuan për ngritjen e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve duke përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta si dhe shkëmbimin e përvojave.
Në fund, Gjeneral Kalnins e ftoi Gjeneral Jasharin për vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë. /F.S
























