VIDEO-Mandati i UNMIK-ut
BKT
Lajme

VIDEO-Mandati i UNMIK-ut

Donika Sherifi / RTK

Partitë në vend e kanë mbështetur kërkesën e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, pasi sipas tyre, tashmë nuk ka asnjë rol në vend.

Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se largimi i UNMIK-ut varet nga Kina e Rusia kryesisht.

Për punën e UNMIK-ut u diskutua në mbledhjen e së mërkurës në Këshillin e Sigurimit gjatë së cilës u shqyrtua raporti i radhës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për këtë mision.

Ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë e mbështesin partitë politike të vendit, sipas të cilave një gjë e tillë do të ishte një lajm I mirë për Republikën.

 “Tashmë është e tejskaduar ose i tejskaduar mandati i UNMIK-ut dhe njëkohësisht i Rezolutës 1244, Kosova është vend i pavarur, sovran dhe natyrisht kuptohet që në Këshillin e Sigurimit janë dy shtete të cilat janë ende anëtare ose të cilat e ushtrojnë veton, ato janë Rusia dhe Kina që do të kundërshtonin një propozim të tillë. Megjithatë në përmbajtje ose realisht në teren, në Kosovë nuk e ka asnjë kuptim funksionimi i UNMIK-ut, gjegjësisht i misionit të formuar sipas Rezolutës 1244”, tha Mimoza Kusari Lila - Vetëvendosje.

 “Ajo është gjëja më e mirë nëse do ti ndodhte Republikës së Kosovës, që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të mos jemi peng i asaj rezolute sepse në Republikën tonë është krijuar një realitet i ri nga 17 shkurti i vitit 2008, dhe ajo rezolutë nuk ka kurrfarë kuptimi sepse në teren ajo nuk zbatohet. ne jemi shtet sovran, i pavarur, i njohur nga mbi 100 shtete", Abelard Tahiri -  PDK

 “Me deklarimin e pavarësisë, UNMIK-u për Kosovën është inegzistent, Rezoluta 1244 nuk mund të ndryshohet prej Prishtinës, ajo ndryshohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me Rezolutën 1244 janë edhe trupat e KFOR-it, pra UNMIK nuk ka asnjë rol administrativ në Kosovë, ne si Grup Parlamentar nuk i kemi takuar dhe roli i tyre është minimal, por është në rregullin 1244, e mbi atë rregull ka raportur edhe ministrja e Punëve të Jashtme”, Besnik Tahiri – AAK.

Nga LDK-ja kanë thënë se është kërkesë e kamotshme e LDK-së ndërprerja e mandatit të UNMIK dhe përfundimi i mandatit të këtij misioni të cilin e ka quajtur të panevojshëm më në Kosovë.

Por, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në një të afërt të afërt për shkak të pesë shteteve anëtare të Këshillit që nuk e kanë njohur akoma Kosovën thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

 “Rezoluta 1244 është e themeluar nga Këshilli i Sigurisë ku bëjnë pjesë pesë vendet e përhershme, në mesin e tyre Kina edhe Rusia. Ndryshimi apo shfuqizimi i Rezolutës varet nga vullneti i këtyre dy shteteve, që do të thotë se nëse do të vinte kjo iniciativë nga shtetet tjera anëtare të përhershme, do të duhej që së paku Kina e Rusia të abstenonin apo të mos kishin votë kundër apo të mos e shfrytëzonin të drejtën e vetos”, Ehat Miftaraj – IKD.

Nga viti 1999, bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u ka raportuar mbi situatën në Kosovë në periudha të rregullta tremujore.


MË SHUME NGA Lajme