PDK paditë anëtarët e Bordit të ZRRE-së për faturim me tarifat e shtrenjta
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar Kallëzim Penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë tha se ZRRE, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, dezinformoi opinionin publik, se gjoja ky vendim nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.
"Sot kemi parashtruar Kallëzimin Penal kundër Bordit të Zyrës për Rregullatorin e Energjisë, i cili nga data 8 prill i këtij muaji, dështoi të zbatojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili aktvendim pezulloi vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përfundim të procesit gjyqësor në Padinë e PDK-së, të cilën e kemi bërë kundër vendimit të ZRRE-së”, ka thënë Xhemajli.
Ai ka rikujtuar se PDK duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike, ka parashtruar Padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së, pasi kjo e fundit kishte marrë vendim në fillim të muajit shkurt për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Krahas kësaj padie, ai ka thënë se PDK ka bërë edhe kërkesë për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e vendimit të ZRRE-së, deri në shqyrtimin dhe vendosjen meritore të Padisë, me qëllim që të evitohen pasojat e mëdha dhe humbjet që ky vendim po u shkakton qytetarëve tanë.
Mirëpo, ZRRE ka vazhduar të faturojë energjinë me tarifat e reja, duke bërë të ditur se vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës do ta atakojë në Gjykatën e Apelit.
"Kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga Kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën", ka shtuar Xhemajli.
Ndërkaq, Faton Fetahu, avokat i PDK-së në këtë çështje theksoi se qytetarët do të kenë të drejtë ligjore të bëjnë padi indiduale ndaj KESCO-s dhe ZRRE-së, me pranimin e faturave të këtij muaji me çmim të shtrenjtë, për shkak se sipas tij, ky faturim tanimë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, rrjedhimisht është pa bazë ligjore.























