Mohon se në Zllash u ndaluan njerëz
Valbona Thaçi/ RTKLive.com
Edhe sot (e premte) në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit Sali Mustafa – Cali, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdoi me dhënien e dëshmisë, Selatin Krasniqi, dëshmitar i dymbëdhjetë. Ai përsëriti se nuk mbaheshin njerëz të ndaluar në Zllash.
Dëshmitari Krasniqi, gjatë rimarrjes në pyetje nga avokati Julius Von Bone, nga ky i fundit është pyetur për ndërtesën që edhe në seancën e së enjtes i referoheshin si ndërtesa 4a.
Ai ka vazhduar të pyetet rreth objekteve në fshatin Zllash të Prishtinës dhe të gjitha rrethanave që janë zhvilluar atje gjatë periudhës së luftës.
Ai u pyet nëse ka pasur kamp ndalimi në objektet e familjes së tij, të cilat i posedonte në shfrytëzim UÇK-ja.
Dëshmitari Selatin Krasniqi është përgjigjur në të gjitha pyetjet duke treguar me detaje se si janë shfrytëzuar ato objekte, dhe të gjitha lëvizjet gjatë kohës së luftës. “Nga viti 1995 kanë lënë pajisje bujqësore aty”, tha ai.
“Më pas, nuk jam i sigurt por e di se në vitin 1998 e 1999 nuk ka pasur mundësi të banohet në atë ndërtesë”, u shpreh Krasniqi.
“Aty kemi lënë lopata, rrafshuese e mjete tjera pune”.
Kur u pyet nese është përdorë kjo ndërtesë nga njësiti BIA, ai tha se në këtë ndërtesë nuk ka banuar askush.
Ai deklaroi se gjatë kohës së luftës, nuk ka pasur njerëz të ndaluar në atë ndërtesë.

“As nuk kam pa që ka e as nuk ka pasur. Edhe nuk mund të thotë askush që ka pas njerëz të ndaluar aty”, tha ai.
Dëshmitari Selatin Krasniqi ka përfunduar me dhënien e dëshmisë së tij, ndërkaq gjykimi vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të trembëdhjetë të mbrojtjes.























