Presidentja deklarohet për rastin e ambasadorit Berishaj
Jeton Musliu
Presidentja Vjosa Osmani u deklarua sot për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Për këtë çështje ajo u pyet nga gazetarët në konferencë për media, derisa ishte bashkë me presidentin Letonisë, Eglis Levits, i cili po viziton Kosovën.
Presidentja Vjosa Osmani tha se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u konstatuar nga organet e drejtësisë.
“Pra nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore”, tha Osmani.
Mediat sllovene kanë raportuar se një rast, të cilësuar si skandal financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, mediat e këtij vendi raportuan se dyshohet se është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Për këtë të fundit, ato raportojnë se ka bartur rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Megjithatë, raportimet e televizionit sllovene, Planet TV, i ka mohuar ambasadori Martin Berishaj, i cili ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të zbardhur këtë çështje.























