Llogaridhënie mbi të vërtetat
BKT
Lajme

Llogaridhënie mbi të vërtetat

Ditëve të fundit, në mediet sllovene u bë publike një rast, që, sipas tyre, përbën skandal, në të cilën përmendet edhe emri i ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku, mes tjerash, bën thirrje që të kihet kujdes në deklarimet publike derisa të dëshmohet e vërteta.

Ambasadori Martin Berishaj ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij, e madje ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.

E Përparim Kryeziu, në emër të Qeverisë së Kosovës, tha se kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime.

“Si Qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, tha ai.

 Për rastin foli sot edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila në konferencë për media me presidentin e Letonisë në Prishtinë, tha se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj, pa u konstatuar nga organet e drejtësisë.

 “Pra nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore”, tha Osmani.

 E për këtë rast,nga media është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti. Megjithatë, ai tha se është zëdhënësi i Qeverisë, personi që është deklaruar në lidhje me këtë çështje, duke mos komentuar më shumë.

Ndërkohë që mediet sllovene kanë raportuar se një rast, të cilësuar si skandal financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë dhe dyshohet për shpëlarje parash.

Mediet e këtij vendi raportuan se dyshohet se është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

 Për këtë të fundit, ato raportojnë se ka bartur rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Megjithatë, raportimet e televizionit slloven, Planet TV, i ka mohuar ambasadori Martin Berishaj, i cili ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të zbardhur këtë çështje.


MË SHUME NGA Lajme