Abdixhiku tregon përse LVV nuk do Komision Hetimor
BKT
FOTO: Lumir Abdixhiku/FB
Lajme

Abdixhiku tregon përse LVV nuk do Komision Hetimor

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.

Abdixhiku u shpreh se asnjë arsyetim refuzues i LVV-së  nuk kishte kuptim.

“As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj - merreni me mend - s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim”, tha kreu i LDK-së.

Sipas tij, vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto.

“Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë”.

Kryetari i LDK-së deklaron se ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë.

“ Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”.

Për këtë arsye, kryetari i partisë së dytë opozitare në Kuvendin e Kosovës tha se bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji.

“Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë”.

Prandaj, ai tha se deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit - që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave - janë hapa të parë në këtë drejtim. (J.M)


MË SHUME NGA Lajme