PDK: Korrupsioni ka përfshirë majat e shtetit
Valmira Saraçi-Sahatçiu
Afera me ambasadorin lidhet me majat e partisë në pushtet. Kështu deklarojnë drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili tha se kjo aferë lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet, prandaj kërkoi hetim të hollësishëm parlamentar të kësaj çështje.
Ismaili dhe nënkryetarja tjetër, Vlora Çitaku folën të shtunën në konferencë për media, për aferën “Karteli i Rrymës”, në të cilin dyshohet se është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kjo parti opozitare kërkon hetim të hollësishëm parlamentar të kësaj çështje.
“Ne kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme për të themeluar një komision parlamentar hetimor, që do të hetonte procesin e shpenzimit të 100 milion eurove të dedikuara për blerje të rrymës”, tha Ismaili.
“Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka për qëllim që të mbajnë larg dritës kontratat e shitblerjes së rrymës, sepse, kështu do të zbulohej rrjedha e parasë si dhe lidhjet potenciale të Kartelit të Rrymës me bashkëpunëtorët e kryeministrit Kurti”.
Ismaili ka shtuar se raportimet e shumta financiare të kompanisë të Serbisë nga parat e 100 milionshit, siç ka thënë, duke se janë vetëm fillimi i një bunari të thellë korruptiv, ku miliona euro të qytetarëve janë shpërndarë në transaksione me kompani serbe.
Nënkryetarja Vlora Çitaku, tha se Qeveria dhe Presidenca nuk janë as gjykatës as prokuror, duke kërkuar që të shkarkohet menjëherë ambasadori Berisha.
Duke folur për aspektin diplomatik, Çitaku u shpreh që Kosova duhet të jetë e angazhuar tani të shfrytëzojë rastin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por sipas saj, në vend se ta bëjë këtë, diplomacia kosovare është përfshirë në një skandal.























