Kullashi: Më mirë me Emanuel Macron
E.H
Profesori universitar dhe ish ambasador i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, në një intervistë në RTK, komentoi zhvillimet e fundit pas mbylljes së votimeve në Francë.
Ish diplomati Kullashi ka thënë se fjala është për dy programe politike shumë të ndryshme.
“Ndryshime të mëdha në disa fusha të rëndësishme edhe në politiken e brendshme dhe në rrafshin ndërkombëtar, raportet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, raportet ndaj NATO-s, e edhe për çështje të brendshme politike”, tha ai.
"Edhe sa i përket ligjeve dhe disa vlerave të rëndësishme politike që janë në traditë të Francës”.
Programi të cilin e propozon Marine Le Pen, Kullashi tha se nënkupton ndryshime mjaft të rëndësishme edhe të Kushtetutës edhe të disa ligjeve që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ish ambasadori kosovar thotë se do të ishte paradoksale që një presidenti i ri si Le Pen ta nxjerr Francën nga Bashkimi Evropian, edhe nëse do të fitonte ajo.
“Ne mund të supozojmë se sigurisht do të ketë ndryshime edhe në politikën e jashtme sepse për Le Pen këto çështje që janë të brendshme dhe që lidhen me Kushtetutën, këto ligje lidhen me politiken e jashtme vetvetiu”, tha ai.
Ai tha se disa prej normave të rëndësishme juridike dhe politike të BE-së janë marrë nga kjo traditë politike e Francës, prej deklaratave të të drejtave të njeriut, e deri te disa kushtetuta.
Sa për presidentin aktual, Emmanuel Macron, ish ambasadori Kullashi tha se do të jetë më mirë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Varet nga programi politik, varet nga presidenti. E dimë me çka kemi të bëjmë dhe cili është orientimi i tij”, tha ai.
“ Ju e dini që Franca në vitin 1999 nuk ka qenë në NATO e megjithatë te presidenti i Francës Jacques Chirac, kur ka shkuar çështja e intervenimit në Kosovë, ai e ka marrë vendimin si president i Francës”,shtoi ai.
Projeksionet e fundit e nxjerrin Emanuel Macron si president të rizgjedhur të Francës.























