Vlerësohet vepra e heroit Fadil Vata
A.B/ RTKlive.com
Sot mbushen 32 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata. Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes kombëtare shqiptare të viteve ‘80-ta, i cili ishte sinonim i fillimit të rezistencës për lirinë e Kosovës.
Në shënimin e përvjetorit të vdekjes së Fadil Vatës në Sallagrazhdë të Suharekës, kanë marrë pjesë bashkëveprimtarë dhe zyrtarë shtetëror, të cilët vlerësuan lartë veprimtarinë e heroit Fadil Vata në ngritjen e vetëdijes për lirinë e Kosovës, frymëzim të cilën sipas tyre e mori edhe nga Shqipëri mëmë.
Bashkëveprimtari i Fadis Vatës, Sadik Halitjaha, në fjalën e tij tha se Fadil Vata dha gjithçka për Kosovë dhe se frymëzimin e gjeti edhe tek Shqipëria mëmë, e cila edhe pse në një pozitë jo të mirë politike.
"Heroi Fadil Vata dha gjithçka për Kosovën që ne të gëzojmë lirinë e Kosovës. Fadil Vata krijoi celulat e para për lirinë e Kosovës. Për këtë sot në nderojmë atë dhe gjithë dëshmorët e Kosovës ", tha ai.
Sipas tij po të mos të ishte Shqipëria vështirë se do të kishim arritur në pikën ku jemi.
Ndryshe Fadil Vata ndërroi jetë në vitin 1990, si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore që u ushtrua ndaj tij nga serbët.
Në nëntor 2021 u përurua shtëpia-muze e heroit Fadil Vata, në vendlindjen e tij në Sallagrazhdë të Suharekës.
























