Hoti kritikon Qeverinë për qasjen në dialogun me Serbinë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë Kurti për qasjen ndaj dialogut me Serbinë.
Hoti ka thënë se delegacioni i Kosovës ka kërkuar në Bruksel nënshkrim të traktateve të mos-sulmimit dhe zëvendësim të CEFTA-s në vend se të kërkojnë njohje reciproke.
“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë. Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën", ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje.
Sipas Hotit tani liderët e institucioneve duhet të tregojnë përgjegjësi shtetërore dhe seriozitet para partnerëve.























