OSBE dënon sulmin ndaj policëve (E plotësuar)
BKT
Arkiv/RTKlive.com
Lajme

OSBE dënon sulmin ndaj policëve (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive.com

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar sulmin ndaj policëve të Kosovës në veri

“Dënojmë sulmin e fundit ndaj Kosovo Police dhe i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që ta hetojnë atë”, shkruan në faqen zyrtare të OSBE-së në rrjetin social “Facebook”.

Sipas OSBE-së sundimi i ligjit duhet të respektohet nga të gjithë dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Ndërsa mesazhet publike duhet të shpërndajnë tensionet dhe të nxisin komunikim më të mirë”, shkruan në deklaratën e postuar nga OSBE në “Facebook”.

Ora 19:13

Policia nuk konfirmoi nëse  kjo bastisje ka të bëjë me rastet e sulmeve të ditëve të fundit ndaj Policisë, ku një prej tyre  ndodhi të martën, në orët e hershme të mëngjesit.

Bastisjet në këtë pjesë të qytetit nga ana e forcave të rendit, i konfirmoi për RTKlive.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. “Gjatë këtij operacioni policorë është kryer bastisje në një lokacion”, tha ai.

Megjithatë, ai sqaroi se nuk ka të arrestuar.

 “Nuk raportohet për të arrestuar, kurse dy personave u është lënë ftesë për paraqitje në Polici”, tha Kelani për RTKlive.com.

“Ftesa u është lënë mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, ka thënë Kelani.

Ndërkohë, sot në orët e hershme të mëngjesit, është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Policia deklaroi se nuk ka të plagosur kurse është duke hetuar rastin.

Ora 17:00

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq,  dënoi  sulmin ndaj policëve të Kosovës në veri.

“Dënojmë ashpër sulmin mbi anëtarët e Policisë, sikur edhe çdo tentim deri më tash që cenon paqen dhe stabilitetin”, tha shkroi Petkoviq në Tëitter.

Sipas tij, ngritja e tensioneve, sidomos në veri, nuk ka të bëjë asgjë me serbët.

“Por ka lidhje me nevojën e shumëkujt që t’i njollos serbët në veri. Pyeteni veten – kujt i shkon për shtati?”, ka shkruar Petkoviq.

Ora 11:00

Lista Serbe përmes një komunikate për media ka dënuar incidentin duke deklaruar se ai ka qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe përpjekje që serbët e Kosovës të paraqiten si të dhunshëm, i cili nuk përkon me raelitetin. 

Sipas Listës Serbe, kushdo që e ka bërë atë vepër nuk ia do të mirën popullit serbëve.

Ora 9:00

Rastin për RTKlive.com e konfirmon Zyra për Media e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore”, shpjegon policia.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri”.

Policia deklaron se përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të policisë të plagosur.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, sqaron policia.

Njëkohësisht, policia deklaron se ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Kjo nuk është hera e parë që policia e Kosovës sulmohet në veri të vendit.

Ndryshe ditë më parë, u sulmua gjithashtu një patrullë e policisë kufitare, kurse para disa javësh raste të ngjashme ndodhën edhe disa herë të tjera.

Institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e saj, javëve të fundit janë duke dhënë alarmin për përpjekjet e Serbisë që të destabilizojë këtë pjesë të vendit me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga agresioni rus në Ukrainë.


MË SHUME NGA Lajme