Vinicius Tobias, adoleshenti që pritet ta pushtojë skenën te Real Madridi
BKT
Sport

Vinicius Tobias, adoleshenti që pritet ta pushtojë skenën te Real Madridi

Dani Alves, Cafu, Carlos Alberto janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj të futbollit botëror. E kur bëhet fjalë për prodhimin e mbrojtësve të krahut të djathtë me cilësi të larta, atëherë pak shtete e bëjnë këtë më mirë se Brazili.

Megjithatë, viteve të fundit kanë munguar lojtarë të këtij niveli, aq sa edhe pse është më pak se një muaj larg ditëlindjes së tij të 39-të, Dani Alves pritet të jetë titullar te Kombëtarja e Brazilit në Kupën e Botës 2022.

Por kush do ta zë vendin e yllit të Barcelonës kur ai përfundimisht do t’i “var këpucët’? Ky është Vinicius Tobias, i cili prej disa vitesh në vendlindjen e tij luante në radhët e Internacionalit.

18-vjeçari, i cili më 1 prill përfundoi një transferim te Real Madridi, u shfaq në radarët e tifozëve brazilianë pasi ndihmoi ekipin kombëtar U-15 të fitonin kampionatin e Amerikës së Jugut në vitin 2019, e ku Vinicius kishte shënuar golin e fitores në finale ndaj Argjentinës.

Që atëherë, ai është krahasuar me Trent Alexander-Arnold, sepse, ashtu si ylli i Liverpoolit, ai e filloi karrierën si mesfushor qendror, e që më pas është transferuar në krah, por ka qenë në gjendje të ruajë aftësitë e tij për të qenë kreativ në lojë.

Reali ka nevojë më shumë se kurrë për një lojtar të tillë brenda ekipit, me Dani Carvajal që ka munguar ndonjëherë këtë edicion, e veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ndërsa dyshja e gjithanshme Nacho dhe Lucas Vazquez nuk janë mbrojtës të djathtë të natyrshëm, pavarësisht se të dy kanë luajtur në këtë rol kur Carvajal ka munguar.

Prandaj, Vinicius ka një mundësi të madhe për të pasur një rol titullari në ‘Santiago Bernabeu’ në vitet në vijim.

Sidoqoftë, rruga e tij për në kryeqytetin spanjoll nuk ka qenë e lehtë. Ai në moshën 12-vjeç u detyrua të linte shtëpinë e tij në Sao Paulo dhe të lëvizte mbi 1,100 kilometra  në jug përgjatë bregut lindor të Brazilit në Porto Alegre, ku ishte regjistruar në akademinë e Internacionalit.

Ai ra në sy të skautëve të klubit me aftësinë e tij për të përballur kundërshtarët dhe për ta pastruar zonën e penalltisë si dhe vizionin e tij për lojën dhe tendencën për të gjetur gjithmonë shokët e skuadrës me pasimet e tij.

“Kisha nënshkruar si sulmues, por që nga viti 2017 luaja si mesfushor”, tha Vinicius për GloboEsporte kur rrëfeu historinë e shndërrimit të tij në mbrojtës të djathtë.

"Mbrojtësi ynë i krahut, Gustavo Bagatini u lëndua dhe nuk kishim një tjetër. I kërkova trajnerit, Lucas Marchetti, mundësinë për të luajtur në atë pozitë. Nuk ishte shumë e vështirë, por kisha ende shumë për të mësuar", ka shtuar Vinicius.

Vinicius e mësoi shpejt rolin e mbrojtësit të djathtë dhe më kurrë nuk u kthye në rolin e tij të mëparshëm, duke e kurorëzuar në Internacional dhe duke ndihmuar klubin të fitojë titullin e kampionit brazilian për U20 në vitin 2021.

"Ai është lojtar tipik brazilian, një sportist me aftësi teknike të një niveli shumë të lartë", ka thënë për Goal, Joao Miguel, i cili ka qenë trajner i Vinicius kur e kanë fituar këtë titull.

“Marrëdhënia mes topit dhe tij është e shkëlqyeshme, kurse aftësia që ka për të zgjidhur problemet e lojës është gjithashtu shumë e lartë, sikurse edhe kuptimi i tij për çështjet taktike të lojës. Atributet e tij fizike janë gjithashtu shumë të mira dhe ai ka forcë të mirë mendore. Është një lojtar që i pëlqejnë duelet dhe që i shijon sfidat e lojës. Prandaj jemi shumë të lumtur që ai tashmë po e bën karrierën e tij jashtë vendit, ku do të shkëlqejë falë të gjitha këtyre aftësive", ka shtuar Joao Miguel.

Aftësitë e këtij djaloshi çuan në interesimin e një numri të madh klubesh evropiane, si Real Madrid, Bayern Munich, Juventus dhe Atletico Madrid. Sidoqoftë, gara për të nënshkruar me Vinicius u fitua nga Shakhtar Donetsk, klub i cili njoftoi në korrik të 2021-s se kishte rënë dakord për një marrëveshje prej 6 milionë eurosh për ta sjellë mbrojtësin në Ukrainë. Mirëpo, Vinicius vendosi të transferohej në këtë klub gjashtë muaj më vonë.

Ai u largua nga klubi i tij i fëmijërisë, Internacional, pa luajtur kurrë një ndeshje në ekipin e parë, por u integrua menjëherë në skuadrën e parë të Shakhtarit, me të cilin kaloi kampin e tyre stërvitor gjatë dimrit në Turqi, duke u paraqitur në gjashtë miqësore.

Megjithatë, këto ishin paraqitjet e tij të vetme për klubin ukrainas, pasi Vinicius dhe një grup lojtarësh brazilianë me bazë në Ukrainë, pas agresionit rus mbi këtë shtet detyruan ata që gjejnë një kalim të sigurt nga shtëpia e tyre e përkohshme.

Pas disa ditësh, i riu iu bashkua bashkatdhetarëve të tij në kalimin e kufirit për të dalë jashtë Ukrainës, përpara se FIFA të shpallte vendimin se lojtarët nga klubet ukrainase do të lejoheshin të lëviznin jashtë afatit kalimtar të transferimeve.

E Real Madridi reagojë menjëherë, duke siguruar nënshkrimin e Vinicius. Fillimisht transferimi i tij u realizua në formë huazimi deri në fund të sezonit 2022-23, me opsion për ta bërë marrëveshjen të përhershme për 17 milionë euro.

Ndonëse s’ka kaluar shumë kohë që nga ardhja e tij në Evropë, Vinicius është ambientuar mirë në Spanjë dhe së fundmi ka debutuar për Real Madrid Castilla në nivelin e tretë të futbollit spanjoll.

Ai gjithashtu ka stërvitur me skuadrën e parë, edhe pse nuk ka të drejtë të luajë për ta këtë sezon për shkak se tashmë “Galaktikët” kanë tre lojtarë që vijnë jashtë Bashkimit Evropian - Vinicius Junior, Rodrygo dhe Eder Militao.

Edhe pse i duhet të presë ende, pa dyshim që koha e Vinicius do të vijë, madje ekziston një besim se sapo të arrijë në futbollin e nivelit të lartë, ai më nuk do të ketë gjasa të largohet së shpejti.

Pra, historia e gjatë e Brazilit në prodhimin e mbrojtësve më të mirë të djathtë në botë duket se do të vazhdojë./B.H./