EULEX mbetet i përkushtuar për ndriçimin e fatit të të Pagjeturve
N.Mekolli /RTKlive
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) rithekson përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në përpjekjet për ndriçimin e fatit të 1620 personave, për të cilët ende nuk dihet asgjë.
Derisa Kosova sot shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, EULEX-i, rithekson se së bashku me IML-në, aktualisht është i angazhuar në mbështetjen e autoriteteve dhe homologëve nga vendi, me ekspertizë të specializuar në fushën e operacioneve në teren në një sërë lokacionesh, për të cilët urdhrat gjyqësorë janë ende në pritje, kërkimin e varrezave të reja klandestine të mundshme, si dhe rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës.
“Rishikimi i mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës koordinohet nga një grup punues i udhëhequr nga ekspertët mjekoligjorë të IML-së, në bazë të strategjisë dhe planit të veprimit të grupit punues 2021-2023. Qëllimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve njerëzore që ruhen në morg si dhe i dosjeve të ndërlidhura, dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve që përfshijnë: rastet e ndërlidhura me konfliktin e që janë të interesit mjekoligjor, rastet e interesit mjekoligjor të cilat nuk janë të ndërlidhura me konfliktin, dhe rastet që nuk janë të interesit mjekoligjor”, njofton EULEX, përmes një komunikate për media.
Procesi i rishikimit, i cili tashmë është në vijim e sipër, deri më tani ka rezultuar në dorëzimin e mbetjeve mortore të shtatë personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël tek familjarët e tyre.
Në këtë njoftim, pos tjerash, EULEX njofton se antropologia mjekoligjore këtij misioni, Luísa Marinho, tha se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.
“Ne do të ndërmarrim një qasje më strategjike dhe do t’i shterojmë të gjitha mjetet hetimore mjekoligjore për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur që aktualisht janë nën përkujdesjen e IML-së,” tha Marinho.
Në Kosovë, sot shënohet Dita e të Pagjeturve, ditë kjo e cila simbolizon 27 prillin e vitit 1999, kur në fshatin Meje të Gjakovës, ka ndodhur masakra e madhe kundrejt civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare policore dhe ushtarake serbe. Atë ditë, forcat serbe kishin ndarë 376 civilë shqiptarë nga kolonat e të përndjekurve nga shtëpitë e tyre, të cilët më pas ishin zhdukur pa gjurmë.























